Korrupsioni, një fenomen që tani më shumë se kurrë është problematik dhe aktual, në vetvete është një fenomen që gjithmonë ka karakterizuar natyrën dhe shoqëritë njerëzore.E megjithatë, jo gjithmonë ka qenë e qartë që korrupsioni si fenomen është i dëmshëm dhe minon të drejtat themelore njerëzore,pasi në mënyrë të drejtpërdrejt ndërhyn në zhvillimin e një shoqërie ndërtuar mbi baza barazie,demokracie dhe meritokracie.Paçka se korrupsioni mund të duket si një problematikë private që prek vetëm atë që e kryen korrupsionin dhe atë që bëhet pritësi pasiv,në të vërtetë ka potencialin të shtrihet përtej kufijve të individuales apo privates dhe të bëhet pengesë për zhvillimin normal e të pastër në një marrëdhënie njerëzore,institucion apo në gjithë aparatin administrativ të një shteti.Akti i korrupsionit,sado i vogël dhe i izoluar të jetë,fyen dinjitetin njerëzor dhe zvogëlon rëndësinë e vlerave njerëzore në një shoqëri.Në ligjet ndërkombëtare,tashmë korrupsioni shihet si një shkelje e të drejtave themelore njerëzore,pasi ka fuqinë të krijojë një frymë të tillë në shoqëri,ku shkelen të drejtat themelore në mënyrë që të përfitojnë segmente të caktuara të shoqërisë,shkelen parimet e shtetit të së drejtës e të mirëqenies sociale duke disavantazhuar masat popullore,dhe mbi të gjitha krijon premisat për konflikte dhe dhunë në një shoqëri.
Megjithatë,veçanërisht në dekadën e fundit,shumëçka është bërë për të luftuar korrupsionin,sidomos në Shqipëri.Digjitalizimi është parë si mjeti më efikas dhe më i shpejt për të arritur në parandalimin dhe kapjen e korrupsionit.Duke qenë se jetojmë në epokën e një revolucioni të vërtetë teknologjik,teknologjia digjitale është mjeti më i mirë e më i përdorshëm për të implementuar politikat anti-korrupsion,si dhe mjeti më efikas për të denoncuar aktet korruptive në kohë reale.Zhvillimi i madh në shkallë globale i teknologjisë së informacionit e komunikimit,në këto dy dekadat e mijëvjeçarit të ri,kanë sjellë dhe nevojën për tu përshtatur në një shoqëri ku nga homo sapiens kemi kaluar në stadin homo technicus sipas Galvan-it, 1 dhe ku një pjesë të madhe të nevojave i zgjidhim nëpërmjet teknologjisë.Dhe një ndër mjetet digjitale që është parë si mënyrë për denoncimin dhe gjurmimin e korrupsionit janë platformat e-qeveritare si E-Albania.Megjithatë,këto platforma nuk kanë arritur të jenë popullore,e rrjedhimisht dhe efikase për kapjen e korrupsionit nga qytetarët,jo vetëm në kontekstin shqiptar,por dhe më gjerë në atë rajonal.
Të dhëna mbi shpërndarjen e përdorimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit sipas grupmoshës në vitin 2019 të botuara nga INSTAT, 2 tregojnë se 33-64% e 45-74-vjeçarëve të intervistuar, thanë se nuk kanë përdorur kurrë TIK. Si mundet që një pjesë e madhe e popullsisë që përbën forcën punëtore të raportojë korrupsionin duke përdorur mjete digjitale, kur ata as që e kanë përdorur kurrë atë? Vetëm 15% e të gjithë atyre që u pyetën thanë se ata marrin informacion nga faqet e internetit të qeverisë elektronike ose aplikacionet, si E-Albania.Mbi të gjitha,si mundet E-Albania të reklamohet si një mjet për luftimin e korrupsionit,kur kjo platformë nuk ofron as sigurinë e të dhënave.Për të hapur llogari në emër të dikujt në E-Albania,mjafton të njohësh emrin,mbiemrin dhe numrin e kartës së identitetit të individit,informacione që mund t’i zotërosh fare lehtë,duke ditur dhe sesa pak përgjegjshmëri tregojnë institucionet në ruajtjen me rigorozitet të këtyre të dhënave.Këto të dhëna tregojnë se
zhdukja e korrupsionit përmes digjitalizimit nuk funksionon gjithmonë. Që një nismë të funksionojë, ajo duhet të marrë parasysh shumë faktorë, veçanërisht, kulturën dhe vlerat mbizotëruese të punës, edukimin e popullsisë, si dhe implikimet ekonomike të zgjidhjeve bazuar në TI për problemet e sektorit të shërbimeve publike. TIK nuk është një zgjidhje "magjike" nëse nuk plotësohet nga procese të tjera brenda administratës.
Platformat e-qeveritare janë mjaft të rëndësishme për sigurimin e shërbimeve publike dhe për të ulur nivelin e korrupsionit,megjithatë praktika ka treguar,sidomos në kontekstin ballkanik që këto platforma mund të jenë dhe krijuese të hapësirave për zhvillimin e akteve korruptive.Një platformë si E-Albania,që i krijon përdoruesit të aksesojë mbi 1780 shërbime elektronike, 3 të jep përshtypjen që do të jetë efikase për uljen në masë të korrupsionit,pasi e ul tejmase kontaktin fizik mes nënpunësit civil dhe qytetarit,duke ngushtuar hapësirat për korrupsion.Megjithatë,në vende ku korrupsioni ende mbetet një problem sistemor që nuk është shkulur me rrënjë,duket se
platformat e-qeveritare nuk janë zgjidhja për problemin.Në Bosnjë dhe Hercegovinë, 4 disa nënpunës civil përdorën një sistem regjistrimi elektronik për të lëshuar dokumente identifikimi false; në të njëjtën kohë, shkolla rajonale e administratës publike ka krijuar raste të shumta kur nëpunësit civil përdorën mjete "e-qeverisje" për korrupsion. Gjithashtu raportohet se një oficer i policisë kroate fshiu nga sistemi të dhëna mbi shkeljet e trafikut,dhe në këmbim mori si ryshfet
verë dhe qengj të skuqur.Zyrtarë kroatë regjistronin kamionë si makina në sistemin e taksave rrugore,dhe dëmi nga ky aktivitet tejkaloi 2 milion euro në vit.Raste të tilla tregojnë se ndonëse qytetari nuk mund ta korruptojë platformën e-qeverisëse,ai mund të korruptojë nënpunësin civil që është ndërmjetësi midis platformës dhe qytetarit.
Digjitalizimi dhe TIK janë mjete që kanë meritën e vet në uljen e korrupsionit si fenomen,por për të luftuar korrupsionin aty ai mbetet problematik,nevojitet më shumë se kaq.Korrupsioni,aty ku paraqitet në nivele të larta,rezulton një problem sistemor,e problemet sistemore zgjidhen vetëm duke edukuar në masë popullatat sesa i dëmshëm është korrupsioni për dinjitetin njerëzor e të drejtat themelore,dhe sesi kështu mund të kthehet në një problem shtetëror.Vetëm edukimi i publikut me vlerat njerëzore mund të crrenjosë fenomene të tilla si korrupsioni nga shoqëria.
Referenca:
1.Galvan.José.M.”On technoethics.”IEE-RAS ,10,2003/4:58-63, http://www.eticaepolitica.net/tecnoetica/jmg_technoethics%5Ben%5D.pdf
2. INSTAT, Anketa mbi Përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Familje dhe nga Individët 2018-2019,shpwrndarë më 15.11.2019.
http://www.instat.gov.al/al/temat/kushtet-sociale/teknologjis%C3%AB-s%C3%AB-informacionit-dhe-komunikimit-tik-n%C3%AB-familje-dhe-ngaindivid%C3%ABt/publikimet/2019/anketa-mbi-p%C3%ABrdorimin-e-teknologjis%C3%AB-s%C3%AB-informacionit-dhe-komunikimit-tik-n%C3%AB-familje-dhe-nga-individ%C3%ABt-2018-2019/
3.AKSHI, Lista e shërbimeve elektronike dhe informative në portalin qeveritar e-Albania,përditësuar më 13.07.2020.
http://opendata.gov.al/?item=e-albani-sherbime
4.Sidorenko.E.L,Lykov.A.A, Digital Economy and Anti-Corruption: New Digital Models, SHS
Web Conf.Volume 71,25.11.2019,
Klikoni që të hyhet te shsconf_eurasia2019_03004.pdf
Youth Debate: A call to Integrity event, co-organized by Scidev and LIBURNETIK Organisation, supported by Embassy of the Netherlands in Albania, was part of the #WeekofIntegrity 2020, hosted by International Chamber of Commerce in Albania