Post- Shqipëria
28 Nëntor, 2020
“Thirrje për Integritet” debat rinor i organizuar nga SCiDEV në bashkëpunim me LIBURNETIK dhe Ambasadën e Holandës në kuadër të Javës së Integritetit
3 Dhjetor, 2020

Zgjedhje në fshatin e Timonit

Ishin bërë rreth 3 muaj që pas revolucionit në fshatin e Timonit. Çdo ditë delet festonin revolucionin që do u jepte të drejtën të zgjidhnin vet për të ardhmen e tyre. Në statutin e hartuar nga të moçmit ishte përcaktuar që çdo dele që mbushte 10 muaj sa herë të mbaheshin zgjedhjet në fshat do të zgjidhte se kush do e rriste.

Për një javë do të zhvilloheshin zgjedhjet e para. Kandidatët e regjistruar ishin Ujku dhe Bujku. Sipas kalendarit takimi i parë që do të zhvillohej ishte ai me Ujkun.

Delet e reja u mblodhën të gjitha në pyllin e fshatit ku u kishte thënë ujku se do zhvillonte fushatën. Pasi ujku mbërriti filloi me ligjërimin e tij:

“Të shumëdashura dele të vogla, a i keni parë delet më të mëdha që sollën këtë revolucion? A e keni vënë re sa këmbë të forta kanë? Sa lesh pompoz, madhështor dhe të butë kanë? Sa trup energjik dhe zë të bukur e të lartë? E pra unë i kam vënë re të gjitha këto! Unë e kam vënë re sa krijesa madhështore jeni! Ju meritoni vërtetë ta sundoni këtë fshat të cilit i keni dhënë famë! Unë dele të shumëdashura ju admiroj dhe për t’jua shprehur admirimin tim do ju rris të lira në lëndinat përtej këtij pylli. Dhe po flasim për lëndina të mrekullueshme ku ju do rriteni më mirë se delet e mëdhaja që sollën këtë revolucion dhe do jeni më madhështore se ato. Mjafton të më besoni mua dhe të më lini t’ju kaloj përtej këtij pylli.”

Delet u mahnitën dhe ashtu optimiste dhe të hareshme u kthyen në shtëpitë e tyre. Ditën tjetër do të zhvillohej takimi i dytë, ai me Bujkun. Delet u mblodhën në lëndinën ku i kishte thirrur Bujku, i cili ishte i shoqëruar nga gjyshja e tij. Pa humbur kohë Bujku filloi me fjalimin e tij:

“Dele te respektuara. Unë ju kam thirrur këtu sot për t’ju paraqitur vendin ku do ju rris. Kjo lëndinë ka qënë para disa muajsh lëndina kryesore për delet e fshatit tonë. Do doja gjithashtu të shtoja që përpos përmasave të lëndinës të kufizuara nga gardhi që shihni dick apo aq e pamatë do jetë dhe kujdesi im ndaj jush. Për t’ju treguar afeksionin tim me leshin tuaj gjyshja ime do bëjë çorape për bashkëfshatarët tanë dhe ju do merrni një vlerësim akoma më të lartë prej tyre. Madje në rast se sëmureni ne do të kujdesemi për ju duke sjellë mjekë nga qyteti për t’ju vizituar. E gjitha kjo në sajë të bashkëjetesës frytdhënëse midis njerëzve dhe deleve.”

Pasi fjalimi mbaroi Bujku dalloi pamjen aspak të impresionuar të deleve, të cilat u larguan duke diskutuar me njëra tjetrën dhe prodhuan një zhurmë çjerrëse. Mesa duket debatet mbi zgjedhjet sapo kishin filluar. Si përfundim shumica e deleve kishin zgjedhur anën e ujkut, me argumentin që ai i admironte ato ndryshe nga Bujku, që donte t’i shfrytëzonte siç kanë bërë njerëzit me vite. Ato pak dele që kishin zgjedhur Bujkun u shprehën se përkujdesja e tij ishte më e garantuar dhe se pylli ishte i frikshëm.
Dita e zgjedhjeve erdhi. Nuk ishte ditë e gjatë. Numërimi i votave po ashtu nuk rezultoi shumë i gjatë. Megjithatë mëngjesi i shpalljes së vendimeve zgjati shumë. Rezultati nuk ishte surprizë. Shumica e deleve shkuan me Ujkun.

Ditën pas shpalljes së rezultatit, siç ishte parashikuar secila dele shkoi pas kandidatit që kishte zgjedhur.

Delet që kishin zgjedhur Bujkun u drejtuan për te lëndina dhe filluan të dëgjonin Bujkun se si e kishte planifikuar ditën, javën, muajin…

Delet e tjera u takuan me Ujkun në pyllin ku ishte bërë mbledhja. Ai u tha se do e kalonin pyllin ditën tjetër dhe se sot vetëm do te çlodheshin. Duke u folur pambarimisht për lëndinën delet filloi t’i zinte gjumi. Sapo e zuri gjumi dhe delen e fundit Ujku filloi t’i kollufiste të gjitha delet një më një dhe ashtu i mbushur u shtri e u shkërmoq nën një bredh të vjetër.

FUND ’

Ndëridhja midis të qeverisurve dhe qeverisësve, në një sistem demokratik, është pikërisht vota. Komunikimi politik midis kandidatëve për qeverisje dhe të qeverisurve bëhët pikërisht vetëm për të fituar votën.

Po sa të fuqishëm jemi ne si sovran, sa të pavarur më saktë jemi ne nga fuqia demagogjike e një politikani?

Është pak të themi që në një sistem ku ekziston një mungesë e theksuar e kulturës politike dhe ku madje ekziston diçka si kultura partiake, shumica, që përbën dhe thelbin e demokracisë, të jetë plotësisht e pavarur apo skeptike mbi demagogjinë politike. Madje në qoftë se vërejmë me kujdes mentalitetin tonë jemi shume më të aftë të flasim për politikat dhe problematikat politike të vendeve të tjera (psh zgjedhjet e fundit në SHBA) se sa ato të brendshme. Kjo vjen sepse sistemet politike të konsoliduara janë shumë më të thjeshta skematikisht për t’u argumentuar, megjithatë konsolidimi është një cilësi jo fortë e afirmuar e sistemit tonë politik, i cili has një stabilitet gati gati deus ex machina.

Ardhja nga një sistem thellësisht propagandistik dhe i fokusuar në kultin e individit ka lënë jo pak gjurmë në procesin tonë të stërzgjatur të tranzicionit politik, efektiviteti i të cilit qëndron akoma në pikëpyetje. Po i referohem jo tranzicionit politik të klasës politike në këtë rast, por atij të qytetarëve. Ne si votues gjendemi akoma në një hendek mes lidhjes psikologjike me udhëheqësin dhe vizionit politik që ai duhet të paraqes.

Sa e sa meme citohen nga ne si të rinj sot, të cilat si personazh kanë pikërisht fytyrat politike të vendit tonë. E më duhet t’ju njoftojë në fakt se pavarësisht talljes, ne ndoshta po bëhemi të varur pikërisht nga kjo demagogji që përçmojmë. Fundja ne akoma si të rinj nuk arrijmë të përfytyrojmë një ndryshim të kastës politike dhe kjo është tregues i diçkaje shqetësuese.

Tregues i suksesit të demagogjisë së bazuar në fenomenin e memeve janë edhe faqet e shumta në rrjete sociale, të figurave publike ose edhe faqeve me autor anonym. Ky terren i ri komunikimi me të rinjtë, të cilin politikanët ja kanë huazuar po të rinjve, po rezulton si një mjet me aftësi bindëse të frikshme.
Vitin e ardhshëm vendi ynë përballet me zgjedhjet. Një mandat si ky 4 vjeçar ka prodhuar një debat që diskursin publik e ka ndarë në shumë pole jo të kundërta po as të njëjta.

Atëherë më thoni ju. Sa të gatshëm jemi për këto zgjedhje kur idealet e së djathtës dhe të majtës nuk njihen, por njihen vetëm subjektet apo figurat politike? Sa të gatshëm jemi ne për këto zgjedhje kur mendimi kritik i të rinjve është ende në hapat e parë dhe njëkohësisht po dëmtohet nga largimi i të rinjve jashtë shtetit shqiptar. Sa do i shpëtojmë kuvendimit politik i cili është gati të blejë çdo pjesë tonën plotësisht të painformuar mbi një çështje?

Fuqia i takon sovranit. Kjo është e padiskutueshme në një shtet demokratik, por fuqia nuk të bën më të fortë në rast se nuk di ta përdorësh. Ndoshta derisa ta kuptojmë këtë do vazhdojmë ta nënvlerësojmë fuqinë tonë si votues, megjithatë politikanët nuk do e nënvlerësojnë kurrë fuqinë e tyre si shprehës të mendimit të masës, edhe nëse kjo do i kthente në meme. Funjda dhe në cirk do gjendet diçka që do pëlqehet.