Je një shtetas i huaj cili vjen për herë të parë në Shqipëri. Je i lodhur nga udhëtimi dhe vonesat që pati për shkak të COVID-it kështu që vendos të qëndrosh në hotel. Fundja ora ka shkuar 9 dhe nuk shikon shumë njerëz rrugëve. Pavarësisht lodhjes nuk të flihet kështu që vendos të shikosh televizor. Je njeri kurioz kështu që e çon tek stacionet shqiptare. Si fillim çuditësh nga dy gjëra: numri i lartë i televizioneve të dedikuara lajmeve dhe faktit që çdo televizion shqiptar në këtë orë, e cila konsiderohet si “prime time”, ka emision të formati “talk show”. Ky vend e do shumë debatin, thua me vete tek sa shkon në tualet për ti hedhur ujë fytyrës së lodhur dhe para se të mbushësh një gotë me uiski. Kur kthehesh fare pak minuta më vonë shikon njerëz të ulurasin, të flasin me këmbë e me duar, të bëjnë konkurs se kush e ka zërin më të lartë, kush mund të thotë më shumë fjalë në një frymëmarrje dhe kush mund të acarojë më shumë tjetrin. Ti mendon se debat do të thotë rrahje mendimesh po përpara teje shikon njerëz të kollarisur të rrahin gjoksin ndërkohë që mes tyre ndodhet një moderator fytyra e të cilit ngjan si ajo e një mësuesi që ka humbur kontrollin e një klase të zhurmshme dhe pret të bie zilia ti japë fund këtij makthi vetëm e vetëm për të vazhduar pas pushimit. Nuk e kupton gjuhën por arrin të dallosh që të gjithë flasin me patos. Disa ndryshojnë ngjyrë gjatë “diskutimit”, të tjerë buzëqeshin në mënyrë ironike dhe tek tuk ndonjë person ngre dorën për të bërë ndonjë pyetje por askush nuk i kushton rëndësi. Më e çuditshmja është se e njëjta skenë përsëritet në çdo stacion dhe çdo personazh duket si një karikaturë e cila përsëritet. I mrekulluar nga se ke parë dhe i lodhur nga rruga të zë gjumi me televizorin ndezur. Shikon ëndërr sikur disa marioneta zihen nga cila anë duhet thyer veza.
Zgjohesh në mëngjes dhe shikon se ke harruar televizorin ndezur. Ora është 7 dhe shikon se emisionet e mëngjesit po lexojnë gazetat. Bëhesh gati për të dal dhe shikon se në disa stacione e njëjta gazetë është lexuar tri herë. Asgjë nuk ka kuptim për ty kështu që vendos të dalësh për të takuar një mik të vjetër i cili të ka ftuar të vish në Shqipëri. Takoheni, ecni përgjatë rrugëve me kafe të pafundme, uleni në njërën prej tyre dhe i thua mikut tënd për përvojën sureale të mbrëmshme.
– Kështu jemi ne shqiptarët, – të përgjigjet ai duke buzëqeshur. – Ne mund të zihemi me njeri tjetrit për zgjedhjet në Amerikë dhe nëse janë vjedhur vërtetë vota apo jo, edhe pse vetë nuk kemi gjetur zgjidhje për problemet tona bazë, si për shembull si të kenë të gjithë qytetarët ujë njëzetekatër orë në njëzetekatër.
Edhe pse e ke disi të vështirë të kuptosh si mund jesh kaq pasionant për një çështje që të prek kaq pak dhe për të cilën mendimi dhe fjala jote janë po aq të vlefshme se një poezi e shkruar për dikë që nuk di të lexojë, dëshiron të dish me shumë për këtë komb. I thua mikut tënd që në fillim pe disa veta të qetë të përgatitur për të debatuar, për të rrahur mendime dhe pak minuta më vonë pe disa persona që flisnin njëri mbi tjetrin sikur të ishin duke bërë prova kantoje dhe ulërinin sikur donin të kapnin një fallsetë të padëgjuar më parë. Miku jot ia plas gazit dhe të thotë sërish së kështu janë shqiptarët.
– Kjo është kultura e debatit në Shqipëri, – të thotë. – Si është e mundur, – pyet ti i çuditur. Si është e mundur të shkëmbesh mendime, të nxjerrësh ide të reja apo të kuptohesh në këtë formë, vazhdon e pyet.
– Kush të tha që ne debatojmë për të shkëmbyer mendime, për të nxjerrë ide apo për tu kuptuar, – ta kthen ai. – Ne e dimë që kemi të drejt, dhe ato që nuk pajtohen me ne e kanë gabim dhe çfarëdo që të thonë nuk ia vlen të thuhet. Duhet të kesh parasysh tri gjëra për Shqiptarët. E para, kemi qenë dhe mbetemi shoqëri patriarkale. E dyta, kemi jetuar për shumë vite nën një regjim totalitar. E treta jemi ballkanas.
Kjo përgjigje në vend që të të kthjellojë të ngatërron edhe më shumë. Ç’ lidhje ka shoqëria patriarkale, totalitarizmi dhe të qënit ballkanas me mënyrën sesi njerëzit debatojnë, pyet shokun.
– Po, sepse prindërit tanë janë rritur me mendimit e prindërve të tyre të cilët janë rritur me mendimet e prindërve të vetë e kështu me radhe. Sipas mendimit të tyre burri është zoti i shtëpisë dhe ka gjithmonë të drejt. Edhe kur e ka gabim ai ka sërish të drejt. Ose më saktë, edhe nëse e ka gabim ai është përgjegjës për vendimmarrjet dhe të tjerët, gruaja apo fëmijët kanë për detyrë ti binden e jo ta pyesin apo ta gjykojnë. Nuk gjykohet kapiteni. Edhe nëse e çon anien drejt stuhisë dhe rrezikon të mbysë anien, ai është zoti i anies dhe të gjithë kanë detyrë ti binden dhe në rastin më të keq të mbytën me të.
– Kjo është absurde! – thua ti menjëherë.
– Jo, kjo është shoqëria patriarkale prej të cilës shqiptarët nuk i janë larguar ende.
– Po totalitarizmi? – Pyet ti plot kureshtje dhe pa arritur të kuptosh mirë përgjigjën e kaluar.
– Gjatë komunizmit, fjala e udhëheqësit ishte urdhër. Nuk kishte rëndësi çfarë të thoshte e çfarë të kërkonte. Ose do i bindeshe ose do të rrezikoje kokën. Frika mbylli gojën dhe kur mbyllet goja fillojnë mbyllën edhe mendimet. Imagjino çfarë i ndodh një populli nëse për 45 vjet i kufizon lirinë e fjalës dhe të mendimit. Mendo pak si transformohet mendësia e tij. Ashtu si kafshët të rritura në ambient të mbyllur e kanë të vështirë deri në të pamundur të jetojnë në mjedis të hapur pasi nuk dinë të gjuajnë, ashtu edhe ne kishim dhe vazhdojmë të kemi probleme në të ngriturit kokën, në të bërit pyetje, në të pranuarit një mendim tjetër.
Kur i vë të gjitha fjalët e shokut sëbashku kupton lidhjen që ekziston dhe arrin të interpretosh atë çfarë pe mbrëmë në televizor. Por sërish do të mësosh për elementin e fundit. Të qënit ballkanas.
– Neve na zinë gjaku. Nuk shquhemi si njerëz të fjalëve por të emocioneve. Mendon se vetëm në Shqipëri njerëzit janë të zjarrtë gjatë debatit? Shih një herë çfarë ndodh në emisionet televizive në Greqi, në Serbi, në Bosnjë. E njëjta gjë. Njeriu, miku im i huaj, mund të shkojë larg, të marrë një kulturë tjetër por gjakun nuk e ndryshon dot. Edhe nëse e përzien gjakun ballkanas, po njësoj do të vazhdojë të ziej.
Shoku jot ndoshta ka të drejt. Siç ka thënë Karl Popper-i, mund të kesh të drejt e mund ta kem gabim, por duke debatuar do ti përafrohemi të vërtetës. Nëse ti nuk je i gatshëm të rrahësh mendime, të dëgjosh argumentet e tjetrit, të arsyetosh, të jesh i hapur ndaj mendimeve ndryshe atëherë nuk je gati për të debatuar. Atëherë kuptove sa shumë punë duhet bërë me të rinjtë që kjo kulturë debati të ndryshojë.