A HORROR STORY
13 Nëntor, 2020
Kush e ka fajin?
23 Nëntor, 2020

Pse të rinjtë duhet të jenë aktiv?

Pse të rinjtë duhet të jenë aktiv? Sepse është natyrale!

Të rinjtë nuk kanë asgjë për të humbur; vetëm për të fituar. Dhe duan të fitojnë shumë, shumë më shumë. Ndërsa ata që s’janë më të rinjë, pothuajse e kanë mbyllur ciklin e tyre të ambicies. Ata kanë se çfarë humbasin. Kjo i pengon të dalin nga zona e komfortit; nuk duan të eksplorojnë, e ndaj nuk mund të jenë aktiv. Dëshira e tyre është të mirëmbajnë çfarë kanë, por jo të marrin çfarë nuk kanë. Të rinjtë duhet të jenë aktiv, sepse askush s’mund të jetë tjetër!

Në radhë të dytë, të rinjtë janë novatorë. Ata përmbajnë brenda vetes gjithë vuajtjen që heqin prindërit e tyre, e rrjedhimisht gjithë vuajtjen e shoqërisë. Mirëpo ambicia nuk e bën dhimbjen pengesë të pakalueshme; përkundrazi, e kthen në forcë të përdorshme për të arritur progresin. Duke mos u nënshtruar, atë kësisoj tentojnë të gjejnë mënyra të reja si t’i qasen problemeve të vjetra. Kështu lind inovacioni. Të rinjtë duhet të jenë aktiv sepse ata munden që nëpërmjet aktivizimit të tyre të ofrojnë zgjidhje të reja, më të mira e më të mundshme, karshi problemeve që të dikurshmit i kanë konsideruar si të pazgjidhshme!

Së treti, të rinjtë janë anti-konformist, kjo pikërisht për faktin se nuk kanë çfarë të humbin, dhe se janë novatorë. Ata ende nuk i janë bashkuar tërësisht botës apo botëkuptimit të shoqërisë. Përkundrazi, të rinjtë e kuptojnë botën sipas mendjes së tyre, ende nuk e kanë pranuar imponimin e shoqërisë. Kësisoj, ata qëndrojnë si pjesë e jashtme e botës, e pabrendësuar. Kjo i lejon të rinjve që ta shohin më pastër realitetin, e të kenë dëshirën që ta përmirësojnë atë, në mënyrë që kur të futen tërësisht aty, realiteti të jetë më i pëlqyeshëm për ta. Të rinjtë pra, duhet të jenë aktiv sepse janë në parehati të plotë me realitetin që vërejnë!

Përfundimisht, aktivizmi tek të rinjtë është natyral, nëse mungon do të thotë që po frenohet. Por frenat nuk munden të mbajnë vrullin, ato munden vetëm ta ngadalësojnë, ta vonojnë, por asnjëherë ta asgjesojnë. Kështu, shpresa është dhe mbetet se të rinjtë do t’i përgjigjen thirrjes së brendshme për aktivizëm, duke kontribuar kështu, në një të ardhme më të dëshirueshme.