Qytetari model dhe mendimi kritik
10 Nëntor, 2020
Pse të rinjtë duhet të jenë aktiv?
19 Nëntor, 2020

A HORROR STORY

…Të gjitha ditët i kishte njësoj. Hiçgjë e paparashikueshme nuk i ndodhte. Ajo, sikurse çdo avokate tjetër në qytet, e aq më tepër e bija e një avokati të famshëm të dalë në pension, rutinën e kishte të parashikuar në një axhendë monotone: Mëngjes me të fejuarin, pastaj konsultim me ish-klientë të babait, drekë me partnerët e firmës, pasdite do përgatiste mbrojten e një politikani të akuzuar për korrupsion dhe në darkë do takonte babain, të cilit mosha nuk i premtonte dhe shumë jetë…
Erdhi darka, dita kaloi, dhe si përhera, nuk qe e lodhshme, por e mërzitshme. I dukej sikur fati i ishte përcaktuar që në lindje e ajo s’kish gjë në dorë për ta ndryshuar. Përpiqej t’ia fshihte vetes, por fakti ishte se e mallkonte me urrejtje babain, se i dukej sikur ai pa e pyetur, kishte krijuar një jetë për të, pa dijeninë e saj. Megjithatë, vajza do e tërhiqte mbrapsht këtë forcë urrejtjeje. Dita do t’i sillte diçka të paparashikuar…

Mbërrin tek vila e familjes. Përshëndet maxhordomin që i hapi derën dhe me hezitim të madh hyn për nga dhoma ku kishte studion i ati. “A do gjej ndonjëherë forcën të krijoj një jetë sikurse ma do shpirti.”– mendonte me vete. Por nuk mendoi më gjatë. E ndërpreu llomotitjen nëpër ëndrra sepse i përqendroi të gjitha energjitë për t’iu shtirur babait si një shpirt i lumtur. Por atë darkë nuk do mundej të shtirej, nuk do kishte kujt t’i shtirej… Me të hapur derën, zbuloi të papriturën. Babai ishte i shtrirë në dysheme. E tromaksur, nxitimthi u zgjat për tek babai që t’i maste pulsin. Por ishte tepër vonë, ai kishte ndërruar jetë. Zemra e tij kishte vendosur të ndalte nga një infarkt, i cili domosdo kishte ardhur nga ndonjë frikë e madhe që kishte përjetuar avokati dinjitoz.

“Po pse të jetë tronditur kaq shumë vallë”- pyeti veten teksa ndjente një lot që i kishte dalë nga kontrolli dhe rrëshqiste lirshëm në faqe.
Megjithatë ishte herët për të gjetur arsye. Ajo donte thjesht të ndjente të atin për herë të fundit, e penduar që nuk e kishte dashur siç duhej sa ishte gjallë. E pikëlluar, zgjati dorën për t’i ndjerë edhe një herë duart e babait, para se ato t’i dorëzoheshin të ftohtit që sjell vdekja. Për çudinë e saj, në duart e tij nuk ndjeu vetëm ngrohtësinë që po humbte ndaj vdekjes, por edhe një copëz letër. E surprizuar se në duar, për herë të fundit në botën e të gjallëve, babai kish mbajtur një copëz letër të grisur nga shtypi i ditës, pyeti veten a ishte kjo letër mënyra se si frika i kishte shërbyer vdekjen të atit. Përgjigjen e gjeti tek përmbajtja. Në atë copëz letër shkruhej një thirrje e botuar tek Gazeta e Shtypur Jeta Është* Qejf, ku kërkoheshin mendimtarë kritikë me 14 vite eksperiencë…