Mendimi ndërtues
12 Tetor, 2020
Budallai ta fut me eksperiencë!
15 Tetor, 2020

Të fitosh apo të humbësh? Kjo nuk është çështja!

Debatin mund ta shohësh si të duash, por debati nuk është ajo që duam ne. Mund ta shohësh si një mundësi për të treguar zgjuarsinë, por nuk është kjo. Mund ta shohësh si një mundësi për të rënë në sy, po prapë ky nuk është thelbi. Mund edhe të të jesh ai tip që do t’i tregosh të gjithëve se ke të drejtë, po prapë debati nuk do të të shërbejë për këtë gjë. Ama kur debati mos të jetë ajo që ke pretenduar të jetë, mos u ndje i tradhëtuar.

Debati është mbi të gjitha një mundësi për të përmirësuar veten, për të kuptuar veten dhe për të eksploruar veten. Për të kuptuar se çfarë ke pasion, çfarë të pëlqen më shumë dhe se çfarë qëndrimesh ke. Të ndihmon të kuptosh nëse je i majtë apo i djathtë, nëse je liberal apo konservator, nëse je i vendosur apo mirëkuptues e pafund bindje të tjera personale. Po ndonjëherë, më shumë sesa të shërbyerit për qëllime personale, debati na rrëmben të gjithëve për të parë këndvështrime të ndryshme për të njëjtën çështje. Nuk na ndihmon të ndryshojmë opinion tonë brenda minutit, por për të kuptuar të paktën që aty jashtë, ka njerëz të cilët mendojnë ndryshe nga ty dhe është krejt normale.
Të fituarit një debat është krejt e parëndësishmë në raport me atë që fiton thjesht duke marrë pjesë në një debat. Të kesh një person përballë, i cili mendon ndryshe nga ty të bën të kuptosh se duam, s’duam ne, diversiteti është i gjallë dhe është pikërisht fakti që ky diversitet ekziston që mban gjallë edhe debatin.

Nuk është bukur të humbësh, por është bukur të humbësh në nje debat të fortë e kompetitiv, ku argumenti është arma e vetme. Konceptin e të fituarit me doemos e kemi të trashëguar nga ideja e të qënit më i miri, më i zoti etj, por të fituarit një debat nuk kërkon të jesh më i miri, kërkon të jesh më i drejtpërdrejti, më i sakti, më argumentuesi. E nëse të dyja palët do të kishin këto karakteristika, nuk do e kisha aspak problem të humbisja.

Fakti që subjektiviteti, mbizotëron në shumicën e çështjeve me rëndësi dhe opinioni personal është i ndryshëm më bën të mendoj se pikërisht këtu qëndron edhe bukuria e të debatuarit. Teksa dy njerëz kanë mendime tërësisht të ndryshme, që në qetësi mund të përfaqësojnë mendimet e një grupi më të madh personash e bën të bukur debatin. Edhe nëse prej tyre shpallet fitues, edhe nëse arrin të bindësh pertsonin që ke përballë, kurrë nuk do arrish të bindësh të gjithë njerëzit që ai person përfaqësonte.
Të qënit gabim është krejt normale, po kush mund ta përcaktojë se çfarë është gabim e çfarë jo e sidomos kur ky përcaktim nuk realizohet pa u pleqëruar njëherë me argumenta sa më bindëse? Qëllimi i debatit vazhdon të mos jetë fitorja, as bindja e të tjerëve, por integriteti i argumentit, pavarësi e argumentit, origjinaliteti i argumentit, e nëse këto ekzistojnë, nga shumë gjëra për të cilat jam i paditur, di vetëm diçka… debati do të jetë i bukur.