Të fitosh apo të humbësh? Kjo nuk është çështja!
15 Tetor, 2020
Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit shtrihet për herë të parë në të 61 bashkitë e vendit
27 Tetor, 2020

Budallai ta fut me eksperiencë!

Folklori shqiptar ofron shprehje që përmbledhin me urtësi praktika të përditshmërisë, duke përcjellë mesazhe që nguliten fuqishëm në koshiencën e shoqërisë. Një ndër të këto shprehje është dhe “Budallai ta fut me eksperiencë.”

Në dukje, ky citat i folklorit shqiptar paraqet si triumfator të kurdohershëm dhe të sigurtë të atyre njerëz të cilët zotërojnë etikë, moral e inteligjencë më të ulët se normalja. Por në fakt nuk është kështu. Kuptimi i kësaj shprehjeje prezanton një ftesë për cilindo që e dëgjon. Është një ftesë që shërben si parantezë e luftës mes zgjuarsisë dhe jozgjuarsisë.

Nëse do t’i vendosnim përballë njëra-tjetrës të dyja këto karakteristika, konflikti duket lehtësisht i fitueshëm. Fundja, zgjuarsia, ngaqë përmban mendim kritik, koherencë, analizim dhe argumentin, e mund kollajshëm jozgjuarsinë, e cila nuk përmban asgjë nga të mësipërmet. E vërteta gjithsesi, është komplet e kundërta. Lufta midis këtyre të dyjave është një strapacim i përhershëm për zgjuarsinë. Kjo pasi zgjuarsia është plotësim, ndërsa jozgjuarsia është mungesë. Sikurse në duelin mes dritës dhe errësirës, ku kjo e fundit ekziston kollajshëm, ndërsa drita kërkon gjithnjë një burim të ushqyer dhe një rrugëtim të kryer.
Për shkak se është mungesë, jozgjuarsia nuk ka asnjë atribut të bashkangjitur. Rrjedhimisht, ajo ekziston e sigurtë, e palodhur dhe nuk kërkon të vërtetohet. E ngaqë është aty gjithmonë, jozgjuarsia është e eksperienctë. Ndërsa zgjuarsia në të kundërt, ka atribute. Ajo është e pasigurtë, sepse tenton përherë të përmirësohet; është e lodhshme sepse duhet të provohet, dhe duhet të provohet sepse i duhet të ekzistojë. Dallimi kryesor midis të dyjave pra, është se zgjuarsia i hyn në punë realitetit, ndërsa budallallëku jo.

Në këtë kontekst, “Budallai ta fut me eksperiencë”, nuk do të thotë që budallallëku fiton gjithmonë ndaj zgjuarsisë. Përkundrazi, shprehja do të thotë që, nëse dëshirohet triumfi i zgjuarsisë, atëherë kjo e fundit duhet të përgatitet, të stërvitet mirë, sepse është ajo që duhet t’i imponohet budallallëkut, për të mbushur mungesën. Duke qenë se zgjuarsia i hyn në punë realitetit, atëherë ajo ka përgjegjësi. Mirëpo përgjegjësia lind detyrën. Dhe detyra asnjëherë nuk përmbushet pa sakrificë, pa mund, pa përkushtim, pa lodhje dhe pa vullnet.

Kjo është ftesa që na prezantohet nga kjo shprehje pra. Duhet që vazhdimisht, mendimi kritik, argumentimi, logjika, arsyeja dhe debati që i ushtron këto, të jenë pjesë e përditshmërisë të një mendjeje që ndjen përgjegjësinë se duhet në radhë të parë të mbushet vet me zgjuarsi, për t’i shërbyer më tej dhe realitetit me të. Në të kundërt, pa dedikim, budallenjtë do të na e hedhin vërtetë gjithnjë me eksperiencë.