Debati, si është e si duhet të jetë
10 Tetor, 2020
Të fitosh apo të humbësh? Kjo nuk është çështja!
15 Tetor, 2020

Mendimi ndërtues

Është e qartë tanimë. Mendimi kritik shërben. Kur ai ndërtohet nga analizë koherente dhe argumentim logjik, ai shërben! Por nuk është thënë ende mënyra se si mendimi kritik shërben.

Kritika është e dyllojshme: konstruktive dhe dekonstruktive. Kjo e fundit, shkatërron. Kritika dekonstruktive, e sheh me optikën e skepticizmit realitetin; më pas, me mekanizmat e arsyes argumenton pse ai duhet të shembet. Ajo nuk jep zgjidhje, por veçse sa shfaq një problem. Kritika dekonstruktive e dekodifikon realitetin pesimisht, duke e vendosur atë gjithnjë larg normës apo standardeve të dëshirueshme. E atillë, ajo shërben thjesht si katalizator që ndez dëshirën për përmirësim.

Kritika konstruktive në të kundërt, i njeh problematikat e realitetit, por nuk është pesimiste. Ajo tenton dhe synon të gjejë zgjidhje për çdo problem të qenësishëm, pasi qëllimi i saj është të ndërtojë. Si kritikë, ajo merr masa për më të keqen, por punon që të ndërtojë më të mirën. Rrjedhimisht ajo është mendjehpaur karshi çdo perspektive, por e vendosur të ndjekë vetëm atë që ndërton mirë dhe shpejt atë që duhet.  E atillë, ajo shërben si katalizator që ndez punën që realizon përmirësimin.

Përfundimisht pra, qoftë kritika konstruktive, qoftë kritika dekonstruktive, janë të dobishme. Sepse realiteti ka të padëshirueshme që duhen rrëzuar, por kërkon dhe të dëshirueshmet që duhen ndërtuar. Si rrjedhojë, ato duhet që gjithnjë të shoqërojnë njëra-tjetrën. Vetëm duke qëndruar anti-konfrom realitetit dhe duke ideuar si mund të përmirësohet ai, arrihet tek mendimi ndërtues; mendimi që gjen mekanizmat e ndryshimit të mirë, duke hedhur poshtë mekanizmat e vjetër të këqij.