Ndizen motorët e Re-Debate, fillon Edicioni i IV i Kampionatit Kombëtar të Debatit
1 Tetor, 2020
Debati, si është e si duhet të jetë
10 Tetor, 2020

Mendimi kritik dhe aktivizmi

Sikurse është sqaruar vazhdimisht, aktivizmi është shpresa se rehatia do të zëvendësojë parehatinë, nëpërmjet konkretizimit të veprimtarive të paracaktuara. Mirëpo, që të zëvendësosh diçka, duhet që të kuptosh mirë atë që do të heqësh, e të kuptosh mirë atë që do të sjellësh.

Për të realizuar këtë proces, mendimi kritik është thelbësor. Në radhë të parë sepse shërben për të kuptuar nëse diçka është e dëshirueshme apo jo. Duke parë me sytë e kritikës realitetin, identifikimi i gjërave që nuk shkojnë mirë, bëhet i thjeshtë.

Në radhë të dytë, mendimi kritik shërben sepse është i aftë të ndërtojë të ardhmen që kërkohet. Duke skanuar disavantazhet e realitetit, ai i eliminon ato në projeksionin që aktivizmi synon të ndërtojë në të ardhmen e re. Kështu riciklimi i të këqijave nuk shtrihet më në kohë. Për më tepër, ngaqë mendimi kritik është në gjendje të skanojë shumë mirë, ai i shërben së ardhmes që synon aktivizmi duke e blinduar atë nga disavantazhe të mundshme. Kështu, projeksioni i aktivizmit ndërtohet në themele të sigurta prej mendimit kritik.

Në radhë të tretë, mendimi kritik gjithashtu ndihmon në lidhjen mes së tashmes dhe së ardhmes. Nëse aktivizmi e zhvillon këtë proces duke ndërtuar dhe planifikuar veprimtaritë e domosdoshme, kritika e lehtëson atë duke sulmuar pikat e dobëta dhe fortifikuar pikat e forta të planifikimit.

Përfundimisht, marrëdhënia mes mendimit kritik dhe aktivizmit është një marrëdhënie simbiotike. E para lehtëson të dytën, e dyta mundësohet vetëm nëse ekziston e para. Rrjedhimisht, pa mendimin kritik, s’do ishte i munduar as ngjizja e ndjenjës së parehatisë, që ndez aktivizmin; as planifikimi i rrugës kah duhet të ecet, që përbën mjetin e aktivizmit; dhe as ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë, që është qëllimi i aktivizmit.