Debati dhe aktivizmi
20 Shtator, 2020
Kush e shpiku shkollën?
26 Shtator, 2020

Rëndësia e Re-Debate

Debat, debat, debat, debat. Me qëllimin që të integrohet në kurrikulat e mësimnxënies. Në të gjithë Shqipërinë. Për të rinjtë. Me të rinjtë. “Pse?”, lind pyetja. Pse është e rëndësishme?

Shoqëria jonë ka një tendencë të shëmtuar që peshoren e rëndësisë ta anojë nga forma. Përmbajtja në rastin më të mirë është dytësore, në rastin më të keq, mungon fare. Kjo do të thotë që në shoqërinë tonë rëndësi ka si paraqitesh, jo nga se përbëhesh. Rëndësi ka çfarë ke, por jo çfarë je. Për ta konkretizuar më thjeshtë, cinizmi, padëshira, kultura patriarkale, kultura e mosbesimit, pesimizmi dhe mungesa për t’u aktivizuar për realizmin e përmirësimit, janë fakte që vërtetojnë tezën e mësipërme. Rrjedhojat e sjella nga këto janë të qarta: Shoqëria pëlqen më të fortin, jo më të zgjuarin; përçmon shpresën dhe përqafon urrejtjen, por mbi të gjitha resht së projektuari veten në një të ardhme më të mirë, duke u dakordësuar me të këqijat përmbajtjesore dhe të mirat sipërfaqësore.

Domosdoshmëria për ndryshimin e kësaj situate thërret me zë të lartë. Çështja është si mund të ndryshohet kjo? Qartazi, duke ngjizur dëshirën për përmbajte tek të rinjtë. E vjetra e ka humbur betejën, gjithashtu dhe vullnetin, dëshirën a energjitë për ta rifilluar nga e para atë. Rrjedhimisht, sfida për të ndryshuar situatën i kalon si përgjegjësi të rinjve. Por kjo përgjegjësi nuk duhet lënë që të shndërrohet në një ankth që lind nga pamundësia për të realizuar të dëshirueshmen. Realizimi i saj duhet orientuar.

Dhe këtu përshfaqet rëndësia e Re-Debate. Debati i strukturuar, ngaqë zhvillohet mbi ide dhe fitohet nga ata që zotërojnë më mirë mendimin kritik, argumentin e logjikuar dhe arsyen, jo vetëm që ngulit rëndësinë e përmbajtjes, por dhe tregon mekanizmat e krijimit të saj. Rezultati është që disa të rinj,  të mësuar me rëndësinë e përmbajtjes, do të udhëhiqen gjithë jetën prej saj, duke kontribuar kështu në një shoqëri më të mirë.