Pyetjet (?)
12 Shtator, 2020
Ç’është aktivizmi?
19 Shtator, 2020

Përkufizimet e gabuara duhen harruar

Fillimisht doja që këtë shkrim ta nisja me togfjalëshin e famshëm “Në Shqipërinë tonë të vogël”… por, pastaj mendova se ky togfjalësh, njësoj si dhe ndodhitë e medha në një vend kaq të vogël janë dy gjëra sa cliché po aq dhe të mbipërmendura. Kështu që vendosa që shkrimin në fjalë ta nis me një kuptim të tërthortë të togfjalëshit të mësipërm, atë të përkufizimeve të gabuara që janë të përhapura në masë në një vend kaq të vogël sa ky i yni. Që në fakt duhet ta kishte më të lehtë të arrinte të kuptonte përkufizimin e saktë të tyre!

Prej dekadash, vërejmë se njerëzit në vendin tonë teksa shprehin opinionet e tyre, herë të bazuara diku e herë të pabaza fare, harrojnë të mendojnë anën e kundërt të medaljes; faktin që dikush mund t’ua kundërshtojë ato. Dhe në momentin që kjo ndodh, pra përballja me një kundërshtim të opinioneve apo mendimeve të tyre, fshihen pas fjalisë; Ky është mendimi im dhe pikë! E qartë, ky është mendimi yt, por a mund t’a mbrosh saktësinë e mendimit tënd dhe nga ana tjetër? Të më argumentosh mua se pse mendimi im është gabim?!

Pas shtrimit të kësaj pyetje probabiliteti që personi të cilit iu shtrua pyetja të nisë dhe të humbasë fillin e mendimit të tij, për fatin tonë të keq është shumë i lartë! Në fund të ditës kush mendon se je ti për t’a bërë këtë dhe që po vë në dyshim vërtetësinë e mendimit të shprehur?! Me siguri jo “ndonje kokë e lartë dhe e zgjuar”. Privilegje të tilla vetëm ato mund t’i gezojnë. Dhe ja ku padashur ose ndoshta për shkak të një rrugëtimi rutine mbërrijmë në përkufizimin aq të padëshiruar por njëkohësisht aq dhe të përhapur të fjalës “Debat”, -dy ose më shumë persona që zihen dhe i ulërasin njëri-tjetrit. Një shpresë e vagëllimtë brenda nesh mund të na shtyj të mendojmë se shumë pak veta e përkufizojnë kështu. Por për ta shuar këtë shpresë na mjafton vetëm të dalim atje jashtë dhe të pyesim personin e parë që hasim për kuptimin e kësaj fjale dhe do të marim përafërsisht, ndoshta saktësisht, përkufizimin e mësipërm.

E di, e trishtë por në një farë mënyre, këndvështrim realist e mosbesues ndaj shpresave të tilla të vagëllimta por edhe këndveshtrim “Ç’të mbjellesh do korrësh” në të një njëjtën kohë! Jemi që jemi të shtrojmë dhe një pyetje, paksa retorike do të thoja; Koha e të mbjellurit kur është saktësisht? A mund të nisim tani? Sepse edhe nëse koha e duhur për të mbjellë nuk është tani, koha për ndryshimin e këtij përkufizimi dhe për mbjelljen e një përkufizimi të ri ka ardhur e po shkon, madje mezi presim ose më saktë i kemi tmerrësisht të nevojshme këto të korrura.

John F. Kennedy thoshte se: “Pa debatin dhe mendimin kritik, asnjë administratë dhe asnjë vend nuk mund të ketë sukses dhe se asnjë republike nuk mund të mbijetojë”. Sigurisht e kishte fjalën për atë përkufizim që thotë se debati është një diskutim i organizuar dhe i pasuruar me argumenta midis dy palëve. Kaq e vështirë është t’a memorizojmë?