Shpesh dhe në menyrë të pamohueshme proklamohet se si shifrat nuk gënjejnë. Më lejoni pra t’ju parashtroj një ose disa pyetje.
Sipas statistikave është përllogaritur se me kalimin e një minuti në neuronet e trurit njerëzor tejçohen 86 bilion sinjale nervore. Rezultat i këtyre sinjaleve janë edhe 48 mendime.
Në qoftë se do të shfrytëzonim një mënyrë deduktive* të arsyetimit, ku mendimi përbën një motivacion psikik për të ndërmarrë një veprim (merren në konsideratë edhe njësitë matëse të cilave u referohemi,) unë personalisht do të ngelja tejet e habitur me limitin e veprimeve të ndërmarra nga ne dhe aq më tëpër me limitin e ndryshimeve të inicuara nga veprimet tona.
Por shifrat nuk gënjejnë apo jo? Atëherë pyetja ime për ju është shumë e thjeshtë. Ku qëndron gabimi i shifrave, i cili është mjaftueshëm i madh sa të bëjë që ato të mos shfaqin plotësisht realitetin, por njëkohësisht nuk është mjaftueshëm i madh sa për ti akuzuar ato për fallsitet apo shtrembërim të realitetit?
Përgjigja ime për ju është se elementi i cili i shpëton lupës së shifrave është vlerësimi. Shifrat janë realisht një matës gati-gati ideal, por nuk mund të mbajmë të njëjtën konsideratë për to si vlerësues. Vlerësimi është një veçori e cila i është dhuruar ose më saktë i është atribuar vetëm arsyes dhe në mënyrë të pashmangshme, mendimit. Për rrjedhim në mungesën e sjelljes së një ndryshimi shifrat janë të justifikuara në pafajsinë e tyre, por mendimet nuk ndodhen në të njëjtën pozitë.
Siç është shprehur dhe Niçja* : “Vetëm sepse kryhet vlerësimi prandaj ekziston vlera; pa vlerësimin, ekzistenca do të ishtë vetëm lëvozhgë boshe!” , por vallë sa jo boshe është lëvozhga jonë si rini? Të edukuar në një sistem arsimor përmes së cilit individi përballet më shumë me vlera ekzistente dhe të afirmuara se sa me rritjen e aftësisë individuale të vlerësimit, sa jo bosh është realisht lëvozhga jonë?
A mundemi ta shkarkojmë plotësisht vetën nga akuza e të qënurit rini e opinionit? A mundemi ta shkarkojmë plotësisht veten nga akuza e të qënurit aktor pasiv në shoqërinë ku ndërveprojmë? A mundemi ta shkarkojmë plotësisht veten nga akuza e të qënurit joautokritik? A mundemi ta shkarkojmë veten plotësisht nga akuza e të qënurit jo mjaftueshëm kërkues? A mundemi ta shkarkojmë plotësisht veten nga akuza e të qënurit të nënshtruar ndaj kërkesave dhe mënyrave të operimit të sistemit? A mundemi ta shkarkojmë plotësisht veten nga akuza e të qënurit matës shumë më shumë se sa vlerësues?
Në fakt akoma nuk mundemi! Dhe akoma nuk do të mundemi për sa kohë do të refuzojmë të pranojmë se sjellja e ndryshimit kërkon pashmangshmërisht rezistencë të buruar nga vlera autentike. Jo, nuk do të mundemi ta mbrojmë veten në gjyqin e kohës derisa minimalisht të kuptojmë se aspirata të reja nuk mund të ndërtohen mbi vlera të vjetërsuara në mendësinë e turmës. Jo, nuk do të mundemi të veprojmë si qytetarë aktiv pa arritur të vetvlerësojmë veten dhe mjedisin ku ndërveprojmë dhe pa e përballur këtë vetvlerësim me realitetin e vlerësuar nga të tjerët.
Natyrshëm në këtë pikë të shkrimit unë jam shteruar nga pyetjet, ashtu siç juve në këtë pikë të leximit uroj t’ju jenë shtuar ato. Po aludoj se pyetja e parë që ju erdhi në mendje ishte se cili është propozimi im real. Si mundemi të arrijmë krijimin e vlerave që do na drejtojnë në dnryshimin e kërkuar nga shumica prej nesh, apo jo? Shumë shkrues dembelë do t’ju thonin se interpretimi i tekstit ju takon ju. Të njëjtën gjë do ju thonin dhe shumë shkrues rebel të cilët besojnë se çdo lexuesi i takon ta gjejë vet pjesën e tekstit që i përket koshiencës së tij ose që minimalisht i kundërvihet asaj.
Kështu pra, përpos propozimit tim real do të keni kohë të vlerësoni dhe llojin e autorit që ndodhet përballë jush. Fundja kini parasysh që pyetjet që ju lindin reflektojnë dëshirat dhe ambicjet tuaja pakëz më shumë se sa përgjigjet që ju jepni.
Graphic by Freepik