Në vendin tonë të vogël ndodh jo rrallëherë që gjërat të përkufizohen nga praktika, pavarësisht nëse personazhet janë në nivel të atillë për t’u dëgjuar, parë apo ndjekur!
Mendoj se e njëjta gjë ka ndodhur dhe me termin “debat”, përveç të tjerash!
Nisur nga ajo çfarë shohim e dëgjojmë në jetën e përditshme, shumë prej nesh kanë krijuar idenë e gabuar që: Të debatosh do të thotë të bërtasësh, të ofendosh, të flasësh çfarë të vjen mbarë, të mos dëgjosh personin që ke përballë etj!
Madje, në ambiente të ndryshme, ndodh jo rrallëherë që të stepesh për të dhënë mendimin tënd tek personi përballë, pasi mund të konsiderohesh tendencioz dhe gjithë diskutimi kthehet në “hesap personal”!
Nuk di të them nëse kjo mënyrë e të debatuarit që ngjan më shumë me zënkë verbale është një element që vjen si pasojë e akumulimit të fjalës për shumë vite përgjatë sistemit komunist e tani abuzohet me mënyrën e të shprehurit, por është i pakontestueshëm fakti që ky lloj debati është tregues i një shoqërie që nuk pranon idetë dhe argumentet e bashkëfolësit.
Hegeli thoshte që konflikti mes ideve e shkëmbimi i argumentave shpien në zhvillimin dhe ndryshimin e shoqërisë… Ne, prej dekadash tanimë, dëshirojmë dhe kërkojmë ndryshim!
Për ta arritur duhet të fillohet nga baza, që është kultura e komunikimit, e të respektuarit të ideve dhe mendimeve të njëri-tjetrit, e të kundërshtuarit me argument për të bindur të tjerët, e të dëgjuarit për të mësuar etj, sepse vetëm kështu arrihet ndryshimi në sfera të ndryshme të jetës!
Kur audienca të mos joshet nga zënkat verbale çedukuese, por nga debatet konstruktive, atëherë do të ketë evolucion në kulturën epër rrjedhojë në vendin tonë!!