Njeriu aktiv çohet herët në mëngjes. Pasivi zgjohet në drekë. Ndërkohë që aktivi ka hequr punët e para të axhendës të cilën e ka përgatitur një ditë më parë, pasivi ende nuk ka marrë veten nga ëndrrat e natës. Pasivi e ha mëngjesin në drekë. Aktivi e ha drekën në këmbë. Pasdite aktivi gjen kohën për shoqërinë, dhe për të kultivuar më shumë dije nëpërmjet librave apo filmave; pasivi në të kundërt, nuk gjen shokë për të mbushur kohën e lirë të pafundme që ka.
Aktivi ndihmon komunitetin për të ndihmuar veten, ndërsa pasivi lehtëson veten duke hequr dorë nga komuniteti. Aktivi e mbyll ditën lumturisht, se ka kontribuar vazhdimisht tek përmirësimi i vetes me veprimtarinë e tij ditore. Pasivi nuk e mbyll dot ditën, se nuk mund të mbyllësh dot diçka të pahapur.
Aktivi është produktiv, gjithmonë në kërkim të më së mirës, përherë inovativ, me ambicie dhe i determinuar që mjeshtërisht të lërë gjurmën e tij në realitetin që tenton të përmirësojë. Pasivi është parazitar, gjithmonë në kërkim të kollajshmërisë, përherë do ngelet si gjithmonë, pa ambicie dhe i determinuar që e nesërmja t’i vejë si e sotshmja. Aktivi vendos çdo dit nga një kolonë në themelet e së ardhmes që ndërton për veten e tij, ndërsa pasivi çdo dit sheh të ardhmen e tij që ndërtohet prej të tjerëve, pa pasur mundësinë ai vet të ketë një rol në të.
Parë në këtë kontekst, kush është më mirë, një njeri aktiv, apo një njeri pasiv??? Sikurse me individët, ashtu edhe me shoqërinë! Sa më aktive një shoqëri, aq më i madh probabiliteti që ajo të vendosë vet për të ardhmen e dëshirueshme. Sa më pasive shoqëria, aq më e predispozuar është ajo të vuajë nga themelet e paqëndrueshme që të tjerë kanë ndërtuar për të.