Gjimnazi ”Ibrahim Rugova” fitues i Re-Debate 5.0 – Kampionati Kombëtar i Debatit
12 Korrik, 2020
Hapi rrugën…
4 Shtator, 2020

Shkrimi dhe leximi si aftësi që përmirësojnë të menduarit. Njihuni me blog-erët e Re-Debate!

Njeriu ka siguruar vazhdimisht evoluimin dhe përmirësimin e jetesës së tij nëpërmjet aftësisë për të trashëguar informacion, njohuri dhe dije. Këtë aftësi, njeriu e ka kryer dhe vazhdon ta plotësojë duke shkruar dhe duke lexuar.

Shkrimi kërkon mendim koherent, të argumentuar me logjikë dhe kritikë të shëndoshë që eliminon të panevojshmet. Janë këto atribute që e bëjnë shkrimtarin të përmbledh perandori të tëra mendimesh në linja të caktuara idesh.

Janë gjithashtu këto atribute që e bëjnë leximin aktivitetin më të arrirë mendor. Kjo pasi duke lexuar, jo vetëm që mësohet dija e një mendimtari, por dhe metodika që ai ka përdorur për ta shprehur atë. Kjo dije e thithur, krahasohet me dijen ekzistuese, apo me dijen e shprehur nga autorë të tjerë, duke u konkluduar në një rezultante që lartëson idetë. Krahasimi është një ushtrim i mirë që stërvit mendimin kritik dhe analizën e thelluar, ndërsa rezultantja e prodhuar lehtëson koherencën dhe logjikimin. E pra leximi zhvillon, pikërisht sepse shërben si një xham me të cilin mund të kthjellohet optika e mendimit, duke lehtësuar zhvillimin përmbajtjesor të individit dhe komunitetit ku ai bën pjesë.

Në shoqërinë tonë ama, vihet re një shkëputje nga përmbajtja. Radhët e hierarkisë shoqërore kryesisht zihen nëpërmjet formës që paraqet një individ, por jo përmbajtjes së tij. Në këtë sens, madhësia e makinës ka më rëndësi se madhësia e bibliotekës dhe ideja e forcës është më substanciale se forca e idesë. E pra, për shkak të kësaj panoramike, lipset që në shoqërinë tonë të ngjizen mekanizma të cilët i mëshojnë rëndësisë së të shkruarit dhe leximit, si veprimtari të shëndosha që zhvillojnë mendimin kritik dhe analizën e thelluar.

Në këtë kontekst, Organizata Liburnetik nëpërmjet projektit Redabte, ku synohet ndezja e mendimit kritik si fanar që ndriçon rrugën drejt përmirësimit, ka ideuar një mekanizëm që tejçon rëndësinë e leximit dhe shkrimit. Ky Blog është një mekanizëm i tillë. Objektivi është që kjo hapësirë të shfrytëzohet për të venë në lëvizje instancat kryesore e të debatuarit, si mendimi kritik, analiza e thellë, mendjehaptësia dhe argumentimi. Përfundimisht, shkrimet që do postohen e lexohen këtu, do t’i shërbejnë këtij objektivi kryesor, por dhe, sikurse çdo shkrim tjetër, përmirësimit të realitetit nëpërmjet përmirësimit të të menduarit.