Kampionati Kombëtar i Debatit Re-Debate 5.0 ka mbyllur sot fazën e debateve në nivel qyteti.
Rrugëtimi i cili nisi dy javë më parë me një transmetim Live maratonë në kanalet zyrtare të LIBURNETIK ka përfunduar me sukses duke numëruar 21 debate, me dy takime çdo ditë, ku ishin pjesë 42 shkolla të mesme të vendit. Ndryshe nga dy edicionet e kaluara Re-Debate 5.0 për shkak të kushteve të pandemisë globale u zhvendos këtë vit online për të realizuar debatet nëpërmjet platformës Zoom.
Stafi i Kampionatit Kombëtar të Debatit që në fillim të pandemisë COVID-19 u vu përpara një sfide të panjohur, që pas një pune të vazhdueshme arriti të kapërcejë çdo pengesë duke transmetuar në faqen e Facebook dhe YouTube të LIBURNETIK, debatet LIVE që arritën të marrin vëmendjen e një audience të madhe.
Edhe pse kjo mënyrë e re e të zbatuarit të projektit dhe formatit të debatit u konsideruar një sfidë fillimisht për stafin organizativ u përqafua me optimizëm nga pjesëmarrësit e skuadrave të 50 shkollave të përfshira në projekt dhe falë edhe këmbënguljes së tyre rezultati dëshmoi se objektivat u arritën me sukses. Sigurisht, ky proces i gjatë i kësaj faze është përballur edhe me vështirësitë e hasura për shkak të aspekteve teknike apo mungesës së internetit në shtrirje kombëtare, që në këtë format të ri në Remote ka peshën kryesore për zhvillimin e debateve. Po kështu stresi dhe zhvillimi i mësimit online për shkak të pandemisë ka ndikuar në përgatitjen dhe koordinimin dhe përgatitjen e tyre për këtë fazë. Pjesë kjo që është mirëkuptuar nga oragnizatorët dhe juria e përbërë nga 15 gjykatës që kanë vlerësuar nxënësit në debat.
Faza në nivel qyteti nisi me debatet e Tiranës, me përballjet midis shkollave të mesme “Ismail Qemali” – “Harry T. Fultz”, “Sami Frashëri” -“Qemal Stafa”, “Ernest Koliqi” – “Turgut Ozal”, “Andon Zako Çajupi” – “Protagonistët”, “New York” – “Partizani”. Për të vazhduar me qytetin e Shkodrës me debatin midis shkollës së mesme “Jordan Misja” – “28 Nëntori”. Gjimnazi Rrëshen këtë vit debatoi me shkollën “28 Nëntori”, Burrel ndërsa ka mbetur traditë debati i qytetit të Lezhës midis dy shkollave “Hydajet Lezha” dhe “Ishull Lezhë”. Me skuadra që çdo vit sjellin prurje të reja në përbërjen e tyre, në garë kanë marrë pjesë shkolla e mesme “Shote Galica”, Fushë-Krujë dhe “Skënderbeu”, Krujë. Debate të forta dhe plot energji kanë përcjellë nxënësit e Kamzës me dy shkollat “Ibrahim Rugova” dhe “Isa Boletini”. Nuk kanë munguar edhe në këtë edicioni shkollat e Durrësit, “Gjergj Kastrioti”, “Naim Frashëri”, nga Korça “Themistokli Gërmenji”, “Janaq Kilica”, “Perikli Ikonomi” nga Fieri apo edhe fituesit në fuqi, “Dhaskal Todri” nga Elbasani së bashku me “Kostandin Kristoforidhin”. Por nuk kanë munguar edhe qytetet më të reja që janë përfaqësuar nga skuadrat e shkollave të tyre, si “16 Shtatori”, Shijak, “Leonik Tomeo”, Durrës, Shkolla e Mesme Profesionale Kamëz, “Vasil Kamami”, Elbasan, “Faik Konica”, Korçë “Halim Xhelo”, “Mustafa Q. Ataturk” Vlorë, “Hasan Tahsini” dhe “Dea”, Sarandë. Një prezantim të fortë kanë pasur shkollat si Flatrat e dijes nga Fieri, Luigj Gurakuqi nga Elbasani.
Kompeticioni është shoqëruar edhe me skualifikime të disa skuadrave që për arsye teknike apo mungesë të pjesëmarrjes nuk mundën të zhvillojnë garën.
Me përfundimin e fazës së debateve në nivel qyteti Kampionati Kombëtar i Debatit ka tashmë 16 skuadrat finaliste. Ndryshe nga dy vitet e kaluar, këtë vit skuadrat e kualifikuara për fazën e gjysmëfinale janë përzgjedhur bazuar në renditjen e pikëve të marra nga juria.
Për të njohur rezultatin e vlerësimit për çdo shkollë stafi i Re-Debate 5.0 ka publikuar online të gjitha votimet e gjykatësve. Vlerësimet mund të aksesohen duke klikuar këtu.
Këto janë 16 skuadrat finaliste të Kampionatit Kombëtar të Debatit – Re-Debate 5.0
1 | Shkolla e Mesme “Turgut Ozal” | Tiranë | 279 |
2 | Shkolla e Mesme “Flatrat e Dijes” | Fier | 279 |
3 | Shkolla e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” | Elbasan | 277 |
4 | Shkolla e Mesme “Ernest Koliqi” | Tiranë | 276 |
5 | Shkolla e Mesme “Dhaskal Todri” | Elbasan | 272 |
6 | Shkolla e Mesme “Rrëshen” | Rrëshen | 270 |
7 | Shkolla e Mesme “New York” | Tiranë | 268 |
8 | Shkolla e Mesme “Partizani” | Tiranë | 266 |
9 | Shkolla e Mesme “Janaq Kilica” | Fier | 259 |
10 | Shkolla e Mesme “Ismail Qemali” | Tiranë | 252 |
11 | Shkolla e Mesme “Ibrahim Rugova” | Kamëz | 248 |
12 | Shkolla e Mesme Profesionale “Harry T. Fultz” | Tiranë | 244 |
13 | Shkolla e Mesme “Naim Frashëri” | Durrës | 239 |
14 | Shkolla e Mesme “Protagonistët” | Tiranë | 237 |
15 | Shkolla e Mesme “28 Nëntori” | Burrel | 234 |
16 | Shkolla e Mesme “Skënderbeu” | Krujë | 234 |