A po zhvilloni aftësi që nuk do të robotizohen?
27 Mars, 2020
Asija Kasemi: “Formim dhe Re-Debate janë dy fjalë te cilat lidhen ngushtë me njëra-tjetrën
18 Maj, 2020

Distancimi social dhe qasja e të rinjve të shkollave të mesme me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit

LIBURNETIK me mbështetjen e Fondacionit ‘Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’, në bashkëpunim me MASR dhe në partneritet me Kongresin Rinor Kombëtar për të tretin vit radhazi po zbatojnë projektin “Re-Debate 5.0, Kampionati Kombëtar i Debatit”.

Pas përfundimit të fazës së trajnimeve në 17 qytete Tetor 2019 – Janar 2020, faza e II e projektit do të duhej të vazhdonte në muajt Mars dhe Prill 2020 me zhvillimin e debateve në nivel qyteti me 50 shkollat e përzgjedhura në këtë edicion. Kjo periudhë përkoi me emergjencën COVID-19 dhe si rrjedhojë, me pezullimin e aktiviteteve tona.

Nisur edhe nga udhëzimet zyrtare ekipi ynë është duke respektuar vetë izolimin dhe të njëjtën gjë ka kërkuar edhe për pjesëmarrësit e këtij projekti, nxënësit dhe mësuesit, shëndeti i të cilëve është thelbësor për ne.

Në kuadër të vazhdimësisë së projektit, ekipi i Re-Debate 5.0 ndërmori një pyetësor për të vlerësuar kapacitetet dhe mundësitë që kanë nxënësit dhe mësuesit pjesëmarrës për të arritur rezultatet e projektit përmes përdorimit të teknologjisë për të zbatuar fazën e debateve në nivel qyteti.

Nga rezultatet e pyetësorit u vu re mungesa e theksuar si në infrastrukturë edhe në kapacitete të nxënësve dhe mësuesve. Duke konsideruar mundësitë reale që kanë nxënësit për t’i realizuar debatet on-line dhe për arritjen e rezultateve: zhvillimin e mendimit kritik, analizën me argumente, komunikimin me etikë, tolerancën për mendimin ndryshe etj., mendojmë se duhet ndërtuar një strategji specifike, duke iu përshtatur nevojave të nxënësve dhe mësuesve.

Nga përgjigjet e nxënësve vihet re një situatë që favorizon përgjithësisht zhvillimin e debateve on-line apo aktivitete të tjera, pra ka një infrastrukturë të pranueshme dhe kapacitete që mund të përmirësohen. Sfida e vërtetë është motivimi i tyre për të qenë aktivë dhe produktivë në kushtet e vetë-izolimit dhe distancimit social. Të pyetur si do ta përshkruanin situatën në të cilën ndodhen aktualisht, shumica e nxënësve raportojnë se situata e re u ka bllokuar aktivitetin normal dhe u ka shkaktuar një lloj gjendjeje apatie dhe ‘parazitizmi’ duke mos bërë pothuajse asgjë me vlerë gjatë qëndrimit në shtëpi. Të tjerë raportojnë se i kanë ngadalësuar aktivitetet e tyre normale, por kanë filluar aktivitete të tjera në kushtet e vetë-izolimit si mësimi on-line, leximi i librave apo lundrimi në internet dhe TV. Disa prej tyre raportojnë se kjo periudhë u ka shërbyer për reflektim, megjithatë togfjalëshat më të përdorur për këtë përgjigje të hapur kanë qenë: na ka bllokuar / jemi dembesolur / nuk kemi motivim.

Si duhet vepruar për të motivuar nxënësit? Si të kuptojmë se në këto kushte është e domosdoshme të jemi produktivë? Pra aktiviteti normal i mësimit, detyrave të kursit, aktiviteteve ekstra kurrikulare duhet të vazhdojë dhe realizimi i këtyre aktiviteteve on-line është mundësi e mirë për të njohur më mirë teknologjinë. Gjithashtu, qëndrimi në shtëpi ofron mundësi shumë të mira për të lexuar, për të mësuar një gjuhë të re, për të ndjekur performanca artistike, apo për të gatuar, për të bërë art e shumë aktivitete të tjera. Mjafton që të gjesh çdo ditë arsye për të qenë aktivë.

Është e lehtë kur mbahet një strukturë apo rutinë që fillon me vendosjen e qëllimeve apo objektivave dhe shpërblimin e vetes kur i ke realizuar ato. Kjo mund të bëhet individualisht, por edhe në komunikim dhe lidhje me bashkëmoshatarë, kolegë apo mësues. Komunikimi në rastin e distancimit social është edhe më i nevojshëm, pavarësisht se bëhet virtualisht. Mësimi on-line mund të shtojë presionin, prandaj komunikimi dhe ndarja e përvojave ndihmon shumë.

Gjatë kësaj periudhe LIBURNETIK i fton nxënësit të bëhen pjesë e nismës ‘#UneRriNeShtepi #SebashkuDoJaDalim’, të ndajnë me të tjerët përmes fotove, videove, mesazhe pozitive se si po e kalojnë periudhën e vetë izolimit. Nxënësit mund të dërgojnë shkrime që mund të publikohen në faqen e Re-Debate mbi tema që lidhen jo vetëm me paketat e debateve të dërguara, por edhe me aktualitetin: si ka ndryshuar realiteti nga pandemia, sugjerime apo këshilla për nxënësit e tjerë që mund të shërbejnë për të qëndruar aktivë. Disa nxënës tashmë kanë filluar të dërgojnë mesazhet e tyre me video duke u bërë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese që organizata ka ndërmarrë për të përcjellë mesazhe pozitive dhe motivuese kundër luftës së Covid-19.

Rezultatet e përftuara nga kampioni i anketimit, të nxënësve dhe mësuesve, tregojnë për sfidën e të qenurit aktivë në këto kushte të jashtëzakonshme që po jetojmë. Pavarësisht sfidave që hasim, siç është kjo ‘luftë’ me një armik të padukshëm, nuk duhet të frikësohemi apo të pezmatohemi. Përkundrazi, këtë kohë vetë izolimi duhet ta shfrytëzojmë si një mundësi për të rritur vetveten dhe për t’i kushtuar kohë disa aspekteve thelbësore për rritjen e kapaciteteve personale.

Për më shumë konsulto analizën e plotë të pyetësorëve këtu

Pyetësori me përgjigjet e nxënësve

Pyetësori me përgjigjet e mësuesve