Starton edicioni i II-të i projektit “Re-Debate – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit”
17 Nëntor, 2018
Re-Debate 4.1 në “Natë me Xhaxhiun”
21 Shkurt, 2019

Prezantimi i Projektit Re-Debate 4.1 – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit

Do të jetë ‘Europe House’ që do të mirëpresë eventin prezantues të Projektit ‘Re-Debate 4.1 – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit’, të Enjten më datë 21 Shkurt.

Në qendër të këtij projekti, që per të dytin vit radhazi po zbatohet nga Organizata LIBURNETIK, është mundësia për të mbështetur zhvillimin e mendimit kritik tek të rinjtë e shkollave të mesme të vendit përmes të argumentuarit, punës në grup, kultivimin e një etike në komunikim bazuar mbi vlerat e qytetarisë aktive dhe tolerancës.

Realizimi i ‘Re-Debate 4.1’ mundësohet nga ‘Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’, me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe në partneritet me Kongresin Rinor Kombëtar.

Zbatimi i projektit ‘Re-Debate 4.1’ ka nisur në shtator 2018 me fazën e parë, atë të trajnimeve: gjatë të cilës nxënësve dhe mësuesve u janë dhënë informacione mbi metodologjinë dhe mbi formatin e debateve që do të zhvillohen në vijim. Debatet do të zhvillohen duke u bazuar në metodologjinë e njohur ndryshe si Formati IDEA, duke përshkuar disa faza:

  • Debatet në nivel qyteti (në 15 qytete);
  • Faza e eliminatoreve;
  • Faza finale.

Në panelin e event prezantimit të projektit, i cili do të moderohet nga Koordinatorja e Projektit Znj. Aspasjana Kërxhalli, do të jenë të pranishëm përfaqësuesit kryesorë që mundësojnë këtë projekt. Një fjalë përshëndetëse institucionale do të mbahet nga Zv/Ministri i Arsimit Sportit dhe Rinisë Z. Shpati Kolgega dhe më pas do i jepet fjala Drejtorit Ekzekutiv të OSFA Z. Andi Dobrushi, Z. Ergys Gezka, Drejtor i Projektit dhe Znj. Lorela Marku, Presidente e Kongresit Rinor Kombëtar.

Në lidhje me dobinë e zhvillimit të një projekti të tillë, me kaq prioritet për zhvillimin e frymës së debatit konstruktiv, pjesë e panelit do të jenë edhe disa të rinj, pjesëmarrës dhe fitues të edicionit të kaluar, të cilët do të shprehen në lidhje me eksperiencën e përjetuar dhe do të japin një feedback mbi çfarë mësuan e përvetësuan dhe sa u ka shërbyer ajo.

Pjesë e këtij paneli do të jenë, Dejsa Sula – Nxënëse e Shkollës ‘Janaq Kilica’ – Lidere e Skuadrës fituese për edicionin ‘Re-Debate 4.0 – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit’. Prezantimi i projektit do të pasurohet edhe me referatin e Z. Ilirian Gjika, Mësues dhe historian me titullin “Përfitimet e kulturës së debatit tek të rinjtë e shkollave të mesme” dhe Znj. Ana Bardhoku – Mësuese me titull “Kultura e debatit si një hap pozitiv për rritjen e kapaciteteve”.

Programi i Debatit e ka filluar aktivitetin që prej vitit 1995, si një program i themeluar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe përfaqësinë e Peace Corps në Shqipëri. Ky program synonte të ndihmonte të rinjtë debatues të zhvillonin aftësitë komunikuese, të menduarit kritik, të inkurajonte tolerancën dhe respektin mbi idetë e ndryshme si edhe të promovonte rritjen e interesit tek të rinjtë mbi ngjarjet aktuale.

Vlera të cilat janë dhe mbeten nevoja të vazhdueshme edukuese në brezat e rinj përballë modeleve të munguara apo të gabuara në shoqërinë shqiptare.

Organizata LIBURNETIK, si organizatë me fokus zhvillimin dhe promovimin e Rinisë shqiptare merr përgjegjësinë dhe nderin për zbatimin e projektit Re – Debate 4.1 Rigjallërimi i Kulturës së Debatit dhe duke evidentuar rëndësinë e të debatuarit dhe të të menduarit kritik, i bën thirrje mediave dhe institucioneve t’i vënë theksin këtij elementi dhe ta konsiderojnë si një proces formimi i domosdoshëm për përgatitjen e një qytetarie aktive.

AXHENDA

Prezantimi i Projektit Re-Debate 4.1 – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit

10:00-10:15 Regjistrimi i pjesëmarrësve

10:15-10:45 Fjalime përshëndetëse:

  • Aspasjana Kerxhalli, Koordinatore Projekti, Moderatore
  • Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit ‘Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’
  • Shpati Kolgega, Zëvendës Ministër, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
  • Ergys Gezka, Drejtor i Organizatës LIBURNETIK, Drejtor Projekti “Re-Debate 4.1 Rigjallërimi i Kulturës së Debatit”
  • Lorela Marku, Presidente e Kongresit Rinor Kombëtar

10:45-11:00 Prezantimi i projektit:

  • Aspasjana Kërxhalli, Koordinatore Projekti – Prezantimi i projektit, fazat dhe metodologjia;
  • Dejsa Sula – Nxënëse, Shkolla “Janaq Kilica”- Lidere e Grupit fitues për edicionin “Re-Debate 4.0 – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit”
  • Ilirian Gjika – Mësues – Referat “Përfitimet e kulturës së debatit tek të rinjtë e shkollave të mesme”;
  • Ana Bardhoku – Mësuese – Referat “Kultura e debatit si një hap pozitiv për rritjen e kapaciteteve”.

11:00-11.30 Pyetje dhe diskutime