“Re-Debate 4.0, Rigjallërimi i kulturës së debatit” ka një traditë të gjatë dhe mbahet mend nga shumë breza. Projekti i Debatit e ka filluar aktivitetin që prej vitit 1995, si një program i themeluar nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe përfaqësinë e Peace Corps në Shqipëri. Ky program, sikurse edhe gjatë edicioneve të shkuara, synon të ndihmojë të rinjtë debatues të zhvillojnë aftësitë komunikuese, të menduarit kritik, të inkurajojë tolerancën dhe respektin mbi idetë e ndryshme si edhe të promovojë rritjen e interesit tek të rinjtë mbi ngjarjet aktuale. Ndër vlerat që synon të përqafojë ky projekt janë dhe mbetet nevoja e vazhdueshme edukuese në brezat e rinj përballë modeleve të munguara apo të gabuara në shoqërinë shqiptare.
Projekti “Re-Debate 4.0, Rigjallërimi i kulturës së debatit” vazhdon si një domosdoshmëri për të rinjtë, pasi megjithëse mjetet e komunikimit në ditët e sotme janë të shumta dhe të larmishme, sërish në Shqipëri vihet re mungesa e hapësirave për debat nga qytetarët, për qytetarët dhe problemet e tyre. Hapësira e debatit është ‘pushtuar’ nga politika apo çështjet e saj dhe nga ‘ekspertët’ që inkurajojnë modele në dukje elitare, por që kanë humbur perspektivën e përfshirjes së aktorëve të interesit për të diskutuar çështje me dhe në interes të publikut të gjerë.
Formatet e debateve televizive dhe debati parlamentar nuk janë aspak modele të mira për edukimin e qytetarëve, sidomos të të rinjve, me vlerat e një shoqërie të hapur, tolerancës dhe bashkëpunimit. Përkundrazi, përgjithësisht ato ndjekin strategjinë e anatemimit të kundërshtarit me një ligjërim negativ.
Ekziston ende një hendek i madh midis potencialeve të të rinjve dhe aftësive e shprehive të tyre për të debatuar duke përdorur të menduarit kritik. Të menduarit kritik, konsiderohet nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (Programme for International Student Assessment, PISA), si një nga kriteret kryesore që duhet të kenë të rinjtë në ekonominë e re globale të shekullit të XXI.
Ky projekt shtrihet në 27 Shkolla të Mesme, në 14 qytete dhe do të përfshijë në mënyrë direkte më shumë se 900 nxënës. Të gjitha aktivitetet, të cilat do të zgjasin rreth 10 muaj, do të zhvillohen nën formën e një Kampionati (Tournament), në tre faza përgjatë periudhës Shtator 2017 – Qershor 2018:
Mbështetja e këtij projekti është një mundësi për të mbështetur zhvillimin e shoqërisë civile dhe prezantimin e të rinjve me alternativë të të menduarit dhe të organizuarit që kultivojnë në ata të menduarin kritik, etikën në komunikim, tolerancën dhe vlerat e qytetarisë aktive.
Për më shumë informacion rreth projektit mund të kontaktoni info@liburnetik.org ose debati@osfa.al