Me zhvillimin e trajnimit të fundit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, u përmbyll me sukses faza intensive e trajnimeve universitare e projektit “UNI Debate: Skena e Mendimit Kritik”, i cili është zbatuar nga Shoqata LIBURNETIK me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR) dhe Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët (MSHRF).
Që nga 15 janari 2025, kur trajnimi i parë nisi në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, ekipi i projektit ka vizituar dhe trajnuar studentët e:
Universitetit Bujqësor të Tiranës
Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës
Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër
Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë
Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër
dhe së fundmi Universitetit të Elbasanit
Në total, 160 studentë të moshave 18-26 vjeç morën pjesë në trajnimet intensive, ku përmes metodologjisë ndërkombëtare Lincoln-Douglas, u pajisën me aftësi praktike në mendimin kritik, komunikimin efektiv, ndërtimin e argumentit dhe pjesëmarrjen qytetare.
Projekti solli një risi në ambientin universitar duke përdorur debatet si metodë joformale për zhvillimin e kompetencave qytetare dhe shprehjen publike. Në çdo universitet, bashkëpunimi me pedagogët dhe angazhimi i studentëve ka sjellë një energji të re që do të pasqyrohet në fazën e ardhshme të debatit publik universitar, që pritet të nisë në prill.
“Studentët kanë treguar interes, guxim dhe kuriozitet. Këto trajnime nuk ishin vetëm për të mësuar si të debatosh, por si të mendosh thellë, të kuptosh dhe të veprosh,” – u shpreh një nga trajnerët e projektit.
Projekti “UNI Debate” është pjesë e granteve shtetërore për rininë, dhe synon fuqizimin e të rinjve si aktorë të rëndësishëm në jetën publike e sociale të vendit.