Shoqata LIBURNETIK ka nisur zbatimin e projektit më të ri “UNI Debate: Skena e Mendimit Kritik”, një iniciativë kombëtare e cila synon të fuqizojë të rinjtë universitarë përmes debatit, mendimit kritik dhe përfshirjes qytetare.
Projekti zbatohet në kuadër të Thirrjes së Katërt për Rininë dhe mbështetet financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët (MSHRF), si pjesë e programit të granteve shtetërore për rininë.
“UNI Debate” do të shtrihet në 7 universitete publike në 6 qytete të Shqipërisë dhe do të përfshijë 160 studentë të moshës 18-26 vjeç, në një seri aktivitetesh trajnimi, debati dhe mentorimi. Përmes formatit të mirënjohur Lincoln-Douglas, të rinjtë do të përfshihen në një rrugëtim formues që nxit mendimin analitik, komunikimin konstruktiv dhe përfshirjen në çështje publike.
Drejtori i Projektit, Ergys Gezka, thekson se: “Ky projekt vjen si një përgjigje ndaj nevojës për më shumë hapësira debati dhe angazhimi për të rinjtë. Ne synojmë të formojmë qytetarë të angazhuar, të aftë për të artikuluar mendimet e tyre dhe për të ndikuar në shoqëri.”
“UNI Debate” ndërtohet mbi përvojën disa vjeçare të LIBURNETIK në realizimin e Kampionatit Kombëtar të Debatit “Re-Debate”, një program që ka marrë vlerësime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Projekti parashikohet të zgjasë 10 muaj, dhe në fund të tij, do të zhvillohen debate publike me pjesëmarrjen e studentëve, pedagogëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe publikut të gjerë.
Për më shumë informacion dhe për të ndjekur rrugëtimin e projektit, mund të ndiqni Shoqatën LIBURNETIK në rrjetet sociale ose në faqen zyrtare www.liburnetik.org.