Rreth projektit

Projekti “Fight Corruption and Have Fun” mund të konsiderohet si projekt-fushatë, mes organizimit dhe zbatimit të disa aktiviteteve në terren dhe një qasjeje ironike në lidhje me raportin e vlerave të një shoqërie të shëndoshë dhe korrupsionit në kontekstin dhe realitetin aktual shqiptar.

Përmes projektit propozohet një “zgjidhje/lojë” ku ndryshohen rolet dhe gjithçka zhvillohet me në qendër të rinjtë, të cilët “denoncojnë” nëpunësit e ndershëm. Projekti po zhvillohet në Gjimnazin “Sami Frashëri” dhe Fakultetin e Shkencave Sociale, UT. Fushata do të përhapet përmes “word of mouth”, që sipas disa statistikave është një mënyrë e suksesshme për shpërndarë mesazhe sociale. Përveç “word of mouth” do të bëhet shpërndarja edhe në rrjetet e ndryshme sociale dhe në kanalet e komunikimit që ka Organizata.

Nëpunësit publikë do të identifikohen nga të rinjtë dhe do të përgëzohen për punën e tyre. Nxënësit e shkollës dhe studentët e fakultetit u ndanë në grupe dhe diskutuan se kush janë nëpunësit që nuk janë të korruptuar. Grupet kanë zgjedhur katër nëpunës publikë, për të cilët studentët dhe nxënësit do të organizojnë nga një flash-mob për ti përgëzuar për punën e tyre. Flash-mobet do të regjistrohen dhe do të shpërndahen në rrjetet sociale si edhe në kanalet e tjera të komunikimit të organizatës. Kjo shpërndarje ka për qëllim që të ndërgjegjësojë të rinjtë dhe shoqërinë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Suksesi i projektit do të matet përmes ndërveprimit me faqet e rrjeteve sociale, ku si tregues do të jetë numri i individëve që ndjekin rrjetet sociale, numri i shikimeve, komenteve apo shpërndarjes së flash-mobeve.

Në vendin tonë janë përdorur qasje të ndryshme për të luftuar korrupsionin. Vihet re se deri më tani fokusi ka qenë tek dëmet që shkakton korrupsioni dhe pasojat që ai sjell. Për këtë arsye kemi zgjedhur një metodë tjetër që është edukimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë përmes fushatave të antikorrupsionit.

Vihet re se shume gjëra kanë evoluar me kalimin e kohës, por rinia e sotme bën që të ngremë në pikëpyetje disa çështje:

A janë të rinjtë të ndjeshëm dhe të edukuar për çështjet e korrupsionit?! A e perceptojnë ata korrupsionin si një kërcënim për shoqërinë tonë?! A përfshihen ata në komunitet?! A tronditen ata kur vënë re nivelin e korrupsionit në vend apo janë thjesht indiferentë?!

Target grupi në këtë projekt janë të rinjtë e grup moshave 16 – 20 vjeç. Rinia në Shqipëri duket se është indiferente për problemet dhe dëmet që shkakton korrupsioni. Përgjithësisht vihet re se ata janë të pafuqishëm dhe thuajse nuk janë të përfshirë në asnjë nga fushat si politika, ekonomia, shëndetësia etj. Brezi i ri gjithnjë e më shumë dëshiron të largohet nga vendi sepse e shikon të vështirë jetesën këtu. Qëllimi i projektit tonë është forcimi i të rinjve dhe përqëndrimi i energjive të tyre në sfidën antikorrupsion, përmes një loje-sociale. “Fight Corruption and Have Fun” është një projekt-fushatë që bëhet për herë të parë në vendin tonë dhe produktet që mbeten prej tij lidhen me faqet e rrjeteve sociale.

Gjimnazistët dhe studentët do jenë ata që do të përkujdesen për vijimësinë e shpërndarjes së projektit në rrjetet sociale. Këta vullnetarë do të kenë akses në faqet e rrjeteve sociale. Mendojmë se të rinjtë mund të kenë diçka për të thënë në luftën kundër korrupsionit dhe ne duam që ti sigurojmë atyre një mundësi duke u dhënë një ideal për të ndjekur. Ekipi  i LIBURNETIK do të kërkojë për bashkëpunime edhe me organizata të tjera, me qëllim krijimin vazhdimësisë së projektit në të ardhmen.

Implementuar

Implementuar nga Organizata LIBURNETIK

Mbështetur

American Embassy Tirana

Materiale nga Fushata