english

Shkolla verore “English for us”

 

Rreth projektit

LIBURNETIK me mbështetjen e Shoqërisë Antea Cement sh.a, ka zhvilluar për të herë të parë programin “English for us” në fshatrat e komunës Thumanë. Ky edicion ka përfshirë tre fshatra dhe rreth 40 të rinj të komunës Thumanë. Programi u zhvillua në ambientet e shkollave Thumanë dhe Fushë Mamurras.

Këtë edicion u përzgjodhën për të qenë pjesë e programit fëmijë nga zonat Borizanë, Shpërdhet ,Fushë-Mamurras dhe Thumanë, në bashkëpunim me shkollat përkatëse 9-vjecare që spikatën për aktivizimin e tyre në komunitet e për rezultatet e larta gjatë vitit shkollor 2020-2021, të zhvilluar në kushtet e vështira të Covid-19.

Shkolla verore u zhvillua gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht. Në shkollë morën pjesë 8 fëmijë të fshatit Borizanë, 17 të fshatit Fushë-Mamurras dhe Shpërdhet dhe 14 fëmijë nga shkolla e Thumanës. Edhe pse kushtet e stinës nuk ishin të përshtatshme, përsëri u vu re një interes i madh i nxënësve e kjo gjë vihet re më së miri kur kërkohet një feedback i tyre për se si po zhvillohet dhe nëse do të kishin dëshirë që programi të zgjatej në kohë.

Metodat e përdorura në këtë program janë ato të edukimit formal të ndërthurura me atë jo formal. Duke marrë si bazë programet të cilat tashmë janë të certifikuara e duke i ndërthurur me punë kërkimore, lojëra si dhe biseda mbi temat sociale bashkëkohore. Këto lloj metodash, tashmë të mirënjohura si pjesë e rëndësishme edukuese për të rinjtë, u japin mundësinë këtyre të rinjve që jo vetëm të mësojnë diçka të re duke u argëtuar por dhe duke pasur mundësinë që kursi të marrë formën dhe natyrën që ata dëshirojnë duke përdorur feedback-et e tyre si një mjet pikërisht për ndërveprim më të madh midis programit dhe këtyre të rinjve.

Në përfundim të punës me çdo grup përkatës, u la një hapësirë e dedikuar për një format vlerësimi për një feedback sa më të plotë mbi mendimet e tyre se si ishte ndërtuar ky program, nëse duhej të ndryshonte dhe nëse duhej të kishte vazhdimësi. Pikë e rëndësishme për organizatorët dhe trajnerët është të dinë dhe nëse programi ishte argëtues për të rinjtë apo jo.

Në mbyllje të këtij projekt-aktiviteti u zhvillua një event final në formën e një ceremonie jo formale, gjatë të cilit u prezantua puna e kryer dhe u stimuluan me disa çmime disa prej nxënësve me rezultate më të mira të arrira gjatë kursit, ndërveprimet e tyre me grupin si dhe një sërë faktorësh të tjerë të rëndësishëm në syrin tonë.  Gjithashtu u shpërndanë certifikata për të gjithë të rinjtë pjesëmarrës.

Implementuar

Organizata LIBURNETIK

Mbështetur

ANTEA Cement Sh.a