banner web

Access to Internet – an emerging Human Right in the area of digitalization

 
 

📌Ç’ka është një qeverisje e mirë?

Që një vend të ketë zhvillim të përbashkët e vendime sa me të mira, sipas Këshillit të Evropës janë një mori parimesh që duhen ndjekur:

Zgjedhje të drejta dhe të lira:

Zgjedhjet lokale duhet të jenë të lira dhe të drejta, sipas standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit kombëtar, pa ndonjë mashtrim. Qytetarët duhet të jenë në qendër të veprimtarisë publike dhe duhet të jenë të përfshirë në mënyra të përcaktuara qartë në jetën publike në nivel lokal.

Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë:

Pjesëmarrja nga burrat dhe gratë, moshuarit dhe të rinjtë është një kërkesë kryesore e qeverisjes së mirë. Gjithkush që dëshiron të kontribuojë në marrjen e vendimeve, duhet të jetë në gjendje ta bëjë këtë nëpërmjet mënyrave të drejtpërdrejta, duke qenë në të vërtetë pjesë e procesit të vendimmarrjes ose përmes dhënies së mendimeve përfaqësuesve të tyre.

Qeveri lokale efektive:

Qeveria lokale duhet të zbatojë objektivat e premtuara dhe të bëjë përdorimin më të mirë të mundshëm të kapacitetit njerëzor, burimeve dhe kohës në dispozicion për të siguruar rezultatet më të mira të mundshme për komunitetin, ndërsa i gjithë procesi duhet vlerësuar në intervale të rregullta përmes sistemeve të menaxhimit të performancës.

Përgjegjshmëria:

Qeveria lokale duhet të përpiqet gjithmonë t’i shërbejë nevojave të të gjithë komunitetit, ndërsa shërbimet publike duhet ofruar në kohë, përderisa kërkesave dhe ankesave duhet përgjigjur sa më shpejt që të jetë e mundur.

Llogaridhënëse:

Të gjithë vendimmarrësit individ apo kolektiv, marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre. Përgjegjësia e tyre zbatohet me masa efektive kundër keqadministrimit dhe kundër veprimeve të organeve të qeverisjes lokale që shkelin të drejtat.

Sjellje etike dhe rrespektim i sundimit të ligjit:

Kur ka qeverisje të mirë ligji zbatohet, autoritetet lokale respektojnë vendimet gjyqësore dhe juridike, ndërsa rregullat miratohen në përputhje me procedurat e parashikuara me ligj. Gjithmonë interesi publik qëndron përpara interesit individual.

Menaxhimi i shëndoshë financiar:

Planet vjetore të buxhetit zhvillohen në konsultim me publikun. Procedurat e prokurimit bëhen me maturi, duke vlerësuar nevojat, kërkesat dhe të ardhurat. Shërbimet publike duhet të jenë të përballueshme dhe tarifat për to nuk duhet të tejkalojnë koston e shërbimit të ofruar. Shpenzimet duhet të llogariten dhe vlerësohen si duhet.

Të drejtat e njeriut dhe diversiteti:

Brenda sferës së ndikimit të institucioneve lokale, të drejtat e njeriut rrespektohen, mbrohen dhe zbatohen, ndërsa luftohet diskriminimi për çfarëdo arsye. Zyrtarët publikë respektojnë të drejtat dhe liritë e të gjithëve, pavarësisht dallimeve të tyre. Diversiteti kulturor trajtohet si një pasuri dhe qeveria lokale bën përpjekje për t’u identifikuar me të. Zonat e pazhvilluara integrohen vazhdimisht.

Transparente:

Aty ku ka qeverisje të mirë ka qasje në të gjitha dokumentet publike, vetëm në rast se ato janë të klasifikuara bëhet përjashtim mirëpo arsyet janë gjithmonë të përcaktuara me ligj. Informacionet mbi vendimet, zbatimin e politikave dhe rezultatet e aktiviteteve të komunave vihet në dispozicion të publikut në mënyrë të tillë që të mundësojë që qytetari të ndjekë dhe të kontribuojë në mënyrë efektive në punën e institucioneve lokale.

Inovative dhe e hapur ndaj ndryshimeve:

Që të krijohet një klimë e favorshme për të arritur rezultate sa më të mira, duhet që idetë e reja të jenë të mirëpritura për tu vendosur në realitet. Gjithmonë kërkohen teknologji, zgjidhje të reja dhe efikase.

Zhvillimi i qëndrueshëm:

Vendimet merren me qëllim të kërkimit të përmirësimeve afatgjata, ndërsa nevojat e gjeneratave të ardhshme merren parasysh në politikat aktuale. Kostot, problemet dhe tensionet e vendimeve të sotshme nuk duhet të jenë barrë që transferohet tek gjeneratat e ardhshme.

✅Temë e diskutuar nga të rinjtë pjesëmarës të projektit ” Access to Internet – an emerging Human Right in the era of digitalization”, një projekt – pilot i cili u zbatua nga LIBURNETIK.