Konferenca: ‘Ndërmjetësimi kulturor në Shqipëri: Sfidat dhe e ardhmja e një figure të re profesionale’
20 Shkurt, 2022
Nisin audicionet e Tirana Art Fest 7
20 Prill, 2022

Prezantohet Edicioni V i projekt-programit, ‘Re-Debate – Kampionati Kombëtar i Debatit’

Më 24 Mars, në sallën e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, Organizata LIBURNETIK organizoi eventin e prezantimit e edicionit të pestë të programit ‘Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit’.

Nën moderimin e Z. Ergys Gezka, Drejtor Ekzekutiv i LIBURNETIK, në këtë aktivitet ishin të pranishëm Znj. Kleina Kasanai, Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR); Z. Klodjan Seferaj, Menaxher Programi pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë si edhe Znj. Blerjana Bino, Drejtore Ekzekutive e SCiDEV.

Znj. Kleina Kasanai vlerësoi Re-Debate si një program i cili jo vetëm rrit kapacitet e të rinjve gjimnazistë, por mbi të gjitha i fuqizon ata, përmes edukimit mbi rëndësinë e argumentit, mendimit kritik dhe kulturës së debatit. Duke falënderuar LIBURNETIK, znj. Kasanai rivendosi theksin te rëndësia që institucionet dhe specifikisht AKR, i kushtojnë rinisë, duke u përpjekur vazhdimisht të mbështesin programe me një impakt të rëndësishëm si Re-Debate të cilat nxisin të rinjtë që të jenë më aktiv dhe pjesëmarrës në shoqëri dhe komunitet.

Në emër të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z. Klodjan Seferaj, Menaxher Programi vlerësoi ecurinë dhe qëndrueshmërinë e projektit, i cili ka patur një impakt dhe shtrirje kombëtare, duke arritur të bashkojë përmes debatit dhe argumentimit kritik shumë të rinj nga zona të ndryshme të vendit. Në vijim të fjalës së tij z.Seferaj, vendosi vëmendjen në mënyrë të veçantë te nevoja për institucionalizimin e kulturës së debatit, duke kërkuar angazhimin e institucioneve në përfshirjen e formulës së debatit në kurrikulat shkollore si një vlerë e shtuar për edukimin e të rinjve me vlerat e qytetarisë aktive dhe demokracisë gjithëpërfshirëse.

Në fjalën e saj përshëndetëse Znj. Blerjana Bino, Drejtoreshë Ekzekutive e SCiDEV, vendosi në vëmendje rëndësinë e kulturës së debatit dhe kampionatin Re-Debate si një mundësi për të rinjtë e gjimnazeve që të nxisin mendimin kritik dhe të njihen me kulturën e debatit si një vlerë e nevojshme për një shoqëri dinamike dhe të shëndetshme. Znj. Bino inkurajoi të rinjtë që të vazhdojnë të jenë pjesë e debateve dhe aktiviteteve që nxisin mendimin kritik dhe etikën e debatit edhe pas përmbylljes së shkollës së mesme, duke vendosur fokusin në Kampionatin e Debatit që zhvillohet në universitete, i vizituar nga SCiDEV.

Znj. Oltiana Rama, Trajnere e Re-Debate, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku duke falenderuar LIBURNETIK, vlerësoi rëndësinë e formateve të tilla në formësimin e të rinjve, duke e vendosur theksin te ndikimi që Re-Debate ka tek të rinjtë si një hapësirë e zhvillimit të mendimit kritik, tolerancës, etikës në komunikim, bashkëpunimit në grup dhe patjetër shprehjes së argumentit në një formë bindëse dhe ezauruese. Të gjitha këto cilësi janë ato që e bëjnë këtë kampionat debati sfidues por edhe dinamik dhe sidomos të dashur për nxënësit dhe mësuesit.

Të pranishëm ishin edhe mësues dhe nxënës nga edicioni i kaluar i Re-Debate 5.1 të cilët ndanë eksperiencat e tyre nga kampionati.


Ata vlerësuan veçanërisht përvojën dhe ato çfarë mësuan nga pjesëmarrja në këtë garë që në fokus ka mendimin kritik. Mësuesit që kanë punuar me nxënësit shprehën gjithashtu nën këndvështrimin e tyre rreth përparimit të nxënësve dhe aftësive që kanë fituar, jo vetëm anëtarët e skuadrës, por dhe ato vetë përmes angazhimit në këtë garë.