MANUAL MBI AKTIVIZMIN NË NIVEL LOKAL
17 Shkurt, 2022
Prezantohet Edicioni V i projekt-programit, ‘Re-Debate – Kampionati Kombëtar i Debatit’
25 Mars, 2022

Konferenca: ‘Ndërmjetësimi kulturor në Shqipëri: Sfidat dhe e ardhmja e një figure të re profesionale’

Ditën e shtunë, data 19 Shkurt, në ambjentet e Qendrës për Strehimin e Azil-kërkuesve, LIBURNETIK zhvilloi konferencën me temë ‘Ndërmjetësimi kulturor në Shqipëri: Sfidat dhe e ardhmja e një figure të re profesionale’.

Kjo konferencë ju dedikua kontekstualizimit të profesionit të ndërmjetësit në realitetin shqiptar, i cili është nën ndikimin e vazhdueshëm të efekteve të globalizmit.

Të ftuar si relatorë të këtij diskutimi ishin znj. Shqiponja Dorzi, përfaqësuese e Qendrës për Strehimin e Azil-kërkuesve; z. Ergys Gezka, Drejtor Ekzekutiv i organizatës LIBURNETIK dhe znj. Blerta Tuci, eksperte për Integrimin Europian.

Fillimisht diskursi i diskutimit u fokusua në aktualitetin e vendit tonë si një vend pritës i flukseve migratore. Znj. Dorzi vendosi në fokus të të gjithëve trendet e lëvizjes migratore, në të cilat vendi ynë shihet kryesisht si vend traziti, për shkak të pozitës gjeografike të favorshme. Nëpërmjet një grafiku kohor u vendos në dukje se fluksi më i madh i azil-kërkuesve të akomoduar në Qendër është ndeshur në vitin 2019, përgjatë të cilit janë akomoduar rreth 6000 persona. Me fillimin e pandemisë shifrat kanë patur një rënie drastike të dukshme, ku përgjatë vitit 2020 totali i të akomoduarve ishte 3000 persona, ndërkohë që përgjatë vitit 2021 një total prej 78 personash të akomoduar. Një paraqitje e e tillë numerike gëzon tiparet e një anomalie të lëvizjes migratore dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohet një trend i qëndrueshëm.

Në një retrospektivë të shkurtër, znj Dorzi solli në dukje edhe sfidat më të mëdha që hasen në procesin e integrimit të të akomoduarve. Këto sfida janë rezultat fillimisht i ngarkesë emocionale dhe eksperiencave individuale traumatike të personave të akomoduar, por gjithashtu janë sfida të cilat përforcohen nga mosnjohja dhe mosharmonizimi i menjëhershëm midis kulturave. Mosnjohja e gjuhës përbën barrierën më të madhe e cila dobëson pikërisht komunikimin midis palëve. Znj. Dorzi theksoi se zakonisht të akomoduarit janë të stepur dhe nuk priren ndaj një komunikimi dinamik; madje ata shpesh i qëndrojnë konservator traditave të tyre gjuhësore, duke refuzuar të komunikojnë në një gjuhë të dytë. Arsyet për një stepie të tillë lidhen kryesisht me nivelin e besueshmërisë që të akomoduarit krijojnë ndaj personave të tjerë. Rrjedhimisht komunikimi jo-verbal merr përparësi dhe fokus të veçantë, si një mundësi për të krijuar ura komunikimi të qëndrueshëm. Njohja e sjelljeve dhe konrizave të vendosura në to nga kulturat e vendeve të origjinës janë gjithashtu një moment tejet i rëndësishëm përgjatë punës në Qendër. Njohja e sjelljeve të konsideruara jo-etike, njohja e kornizave gjinore dhe fetare, si edhe njohja e përplasjeve kulturore të mbartura nga vendi i origjinës luajnë një rol të rëndësishëm në njohjen dhe integrimin e të akomoduarve.

Përmes ndërhyrjes së tij z. Gezka vendosi në vëmendje të të rinjve se pikërisht këto sfida të sipërpërmendura janë tregues të nevojës për ndërmjetësin kulturor në një proces integrimi social. Ai theksoi se respektimi i dinjitetit njerëzor është elementi i cili duhet të jetë thelbësor në komunikimin me personat refugjatë/azil-kërkues/emigrant, pasi ajo që duhet kuptuar drejtë është se ndërmarrja e një projekti migrator në vetvete nuk e bën inferior individin i cili ka ndërmarrë një hap të tillë. Më tej z. Gezka shpalosi disa shembuj nga eksperienca e tij si ndërmjetës kulturor në Itali, duke parashtruar kështu edhe ndikimin që shfaqja e respektit ndaj kulturës dhe dinjtetit të personave refugjatë ka në krijimin e urave të komunikimit.

Znj. Dorzi më tej njohu pjesërmarrësit me mënyrën e funksionimit të Qendrës për Pritjen e Azil-kërkuesve dhe adaptimin e saj ndaj praktikave më të mira për integrimin social të të akomoduarve. Kështu kjo Qendër është një Qendër e hapur, ku të akomoduarve u lejohet të lëvizin nga ora 10:00 deri në orën 22:00, brenda Qendrës ata mund të ushqehen vetëm në ambientet e mencës e cila qëndron hapur deri në orën 20:00. Një rëndësi të veçantë ka edukimi i të miturve të akomoduar. Ky edukim realizohet në bazë të një programi të posaçëm të përcaktuar nga marrëveshja institucionale  mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Edukimi në gjuhën shqipe është një shërbim i cili fillimisht ishte parashikuar vetëm për të miturit, por me kërkesën e të akomoduarve, tashmë ky shërbim u ofrohet të gjithëve, duke shërbyer si një katalizator i integrimit social të refugjatëve.

Në përmbylljen e fjalës së saj znj. Dorzi theksoi dhe një herë se integrimi i personave azil-kërkues është i mundur vetëm në rast se ndaj tyre tregohet empati dhe respekt, duke mbajtur larg paragjykimet apo ndenjat e mëshirës, të cilat në syrin e refugjatëve janë fyese dhe diskriminuese.

Konferenca vijoi me fjalën përshëndetëse të znj. Ana Ciuban, ndërmjetëse kulturore në Itali dhe një nga trajneret e trajnimit ‘Ndërmjetësimi ndërkulturor dhe roli i ndërmjetësit në procesin e integrimit social‘. Në këtë fjalë përshëndetëse znj. Ciuban rikujtoi sfidat që priteshin nga organizimi i këtij trajnimi, i zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, por nuk la pa cilësuar dhe arritjet e këtij trajnimi, duke u shprehur tejet pozitive për të ardhmen e rolit të ndërmjetësit kulturor në vendin tonë.

Pas videomesazhit fjala ju dha znj. Blerta Tuci, e cila ofroi një panoramë të së ardhmes për rolin e ndërmjetësit në vendin tonë, duke e lidhur këtë të ardhme me trendet ndërkombëtare të lëvizjes migratore dhe politikat europiane. Znj. Tuci vlerësoi se flukset migratore janë një trend i cili nuk do të zbehet në vitet në vijim. Kjo pasi, nën ndikimin e globalizmit lëvizja e individëve drejt vendeve që ofrojnë një jetesë më të sigurt apo një kualitet jetese më të lartë është e pashmangsme, për shkak të natyrës njerëzore e cila është vazhdimisht në kërkim të më të mirës. Kthimi i emigrimit në një mentalitet të përmirësimit të jetesës vërehet edhe nga fenomeni i emigrimit të të rinjve në vendin tonë. Znj. Tuci vendosi në dukje që ne nuk duhet të tregohemi neglizhent ndaj faktit se një pjesë e individëve të emigruar kthehen në vendin e tyre të origjinës dhe në këtë moment lind nevoja që dhe këta individë të integrohen në vendin e tyre. Ky ri-integrim ka qënë prezent prej shumë kohësh në vendin tonë, megjithatë vazhdon të jetë një proces i vështirë i cili rrethohet nga paragjykimi apo etiketimi si ‘i dështuar‘ i personit të kthyer. Në përmbyllje të fjalës së saj, znj. Tuci ritheksoi se si një vend i cili parashikohet të ketë një të ardhme brenda BE, Shqipëria pritet të jetë ndër vendet kryesore pritëse të emigrantëve refugjatë, sikundër do të vazhdojë të pres edhe emigrantët që do të rikthehen, për këtë arsye vendi ynë duhet të rris kapacitetet e tij të ndërmjetësimit kulturor dhe të rinjtë e vendit tonë duhet të investohen në rolin e ndërmjetësit i cili do të jetë edhe një ndër profesionet e të ardhmes për realitetin tonë kombëtar.

Fjalën përmbyllese e mbajti z. Ergys Gezka, i cili në mënyrë të përmbledhur cilësoi se roli i ndërmjetësit është një rol i cili i takon shumë disiplinave dhe profesionalizimeve individuale, duke qënë i një natyre ndërsektoriale. Ndërmjetës ndërkulturor mund të jetë një person i cili studion mjekësi, infermieri, gjuhë të huaja, shkenca sociale, informatikë e shumë fusha të tjera. Kjo larmishmëri fushash dhe njohurish vjen si reultat i faktit që çdo individ mund të luajë një rol në integrimin social të emigrantëve, një integrim i cili është i nevojshëm në ofrimin dhe marrjen e çdo shërbimi. Z. Gezka  theksoi se ndërmjetësi është i nevojshëm në ambjentet spitalore, shkollore, policore, në gjykata, markete dhe çdo mjedis ku emigranti duhet të ndërveprojë me persona të tjerë. Pikërisht natyra e gjerë e nderveprimiti dhe integrimit social është ajo që sipas z. Gezka kërkon nga ana e ndërmjetësit që ky i fundit të jetë i profilizuar. Ky profilizim duhet të jetë në nivel njerëzor, në nivel profesional, por edhe në nivel patriotik pasi ndërmjetësi ndihmon në ruajtjen e tolerancës, harmonisë kulturore dhe rendit të brendshëm të vendit.

Me përmbylljen e diskutimit, u bë dhe çertifikimi i të rinjve pjesëmarrës në trajnimin ‘Ndërmjetësimi ndërkulturor dhe roli i ndërmjetësit në procesin e integrimit social‘, të cilët u përgëzuan për interesin dhe angazhimin e tyre si dhe u nxitën të investojnë më tej në profilizimin e tyre si ndërmjetës kulturor.

Në përfundim të konferencës, pjesëmarrësit u njohën me ambjentet e Qendrës për Strehimin e Azil-kërkuesve, ku mësuan më shumë mbi mënyrën e funksionimit të Qendrës.

Kjo konferencë u realizua në kuadër të mbylljes së projektit ‘Ndërmjetësimi ndërkulturor dhe roli i ndërmjetësit në procesin e integrimit social‘, zbatuar nga LIBURNETIK me mbështjetjen e AMSHC. Përmes këtij projekti u synua përgatitja e terrenit për të menaxhuar në mënyrë nivele të ndryshme flukset migruese, qofshin këto refugjatë apo emigrantë të kthyer.