STUDIM | Perceptimet e të Rinjve ndaj Barazisë Gjinore në Shqipëri
June 15, 2020
“Thirrje për Integritet” debat rinor i organizuar nga SCiDEV në bashkëpunim me LIBURNETIK dhe Ambasadën e Holandës në kuadër të Javës së Integritetit
December 3, 2020

Ndizen motorët e Re-Debate, fillon Edicioni i IV i Kampionatit Kombëtar të Debatit

Pas përfundimit me sukses të Edicionit të III, fillon pothuajse menjëherë edhe Edicioni i IV i Kampionatit Kombëtar të Debatit, i cili edhe këtë vit sipas traditës së ndërtuar do të marrë titullin Re-Debate 5.1.

Ky vit i ri shkollor, që përkon edhe me fillimin e Edicionit të IV e sheh Kampionatin akoma më të gjerë, duke i dhënë atij tiparet e një projekti kombëtar e gjithëpërfshirës. Re-Debate 5.1 do të shtrihet në të gjitha Bashkitë e vendit, duke mbuluar në këtë mënyrë të gjithë territorin e Republikës. Shkollat e mesme në plot 61 do të bëhen pjesë e këtij projekti kaq të dashur për të rinjtë që ka si qëllim zhvillimin e mendimit kritik dhe vlerave të qytetarisë aktive.

Në mbështetje të realizimit të Kampionatit Kombëtar të Debatit këtë vit, Organizatës LIBURNETIK, përpos ‘Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’ dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë i Bashkohet edhe UNFPA.

Në vijimësi të edicionit të kaluar, i cili u zhvillua pjesërisht on-line duke iu përshtatur situatës së pandemisë shkaktuar nga Covid-19, edhe ky edicion është planifikuar të zhvillohet on-line, duke respektuar në mënyrë rigoroze protokollet zyrtare.

Përgjatë zbatimit të projektit stafi organizativ do të ketë mbështetjen e Kongresit Kombëtar Rinor, i cili do të suportojë projektin në çdo fazë të tij.

Këtë vit Re-Debate 5.1, duke u bazuar edhe në eksperiencën e grumbulluar në tre edicionet e kaluara dhe veçanërisht edicionit të kaluar premton një kampionat shumë interesant dhe konkurrues.

Falë bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Re-Debate 5.1 këtë vit do të shtrihet në të gjithë vendin, në 61 bashki dhe do të përfshijë shkolla të mesme publike dhe jo publike. Ky projekt do të zhvillohet duke u konsideruar si një aktivitet jashtë kurrikular.

Bazuar në traditën e gjatë të projektit por edhe bashkëpunimit me aktorët protagonistë të Kampionatit Kombëtar të Debatit edhe këtë edicion formula e përcaktimit të 16 skuadrave finaliste mbetet e njëjtë. Skuadrat që përfaqësojnë shkollat e mesme do të garojnë në bazë të pikëve të grumbulluara gjatë fazës së debateve në nivel qyteti.

Qëllimi kryesor i projektit është zhvillimi i mendimit kritik dhe edukimi i të rinjve mbi rëndësinë e dialogut, etikës në komunikim dhe tolerancës ndaj mendimit ndryshe. Në qendër të projektit janë vlerat e qytetarisë aktive, bashkëpunimi midis të rinjve, konceptit të debatit konstruktiv dhe etika në komunikim.

Projekti do të zhvillohet përgjatë 12 muajve, në periudhën Shtator 2020 – Gusht 2021. Aktivitetet e tij do të zhvillohen nën formën e një Kampionati (Tournament), në tre faza:

Faza I – Periudha e trajnimeve, drejtuar nxënësve, mësuesve dhe gjykatësve

Faza II – Kampionati në rang qytetesh

Faza III –  Finalet e Kampionatit ku do të shihen përballjet e 16 skuadrave më të mira.

Në ditët në vazhdim në faqen zyrtare të projektit do të publikohen edhe detaje të tjera dhe risitë e këtij viti.