Fillon edicioni i III i Kampionatit Kombëtar të Debatit, “Re-Debate 5.0″
8 Tetor, 2019
Mirë se vjen ‘LIBURNETIK Elbasan’!
23 Dhjetor, 2019

Sot, më 8 dhjetor, me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë u zhvillua aktiviteti i parë i LIBURNETIK Elbasan. Ishte një aktivitet mbresëlënës, i cili u organizua dhe u zhvillua nga vetë të rinjtë e u përshkua me nota entuziazmi. Ashtu si aktivitetet e zhvilluara më parë në Rrëshen dhe në Fushë Krujë edhe ky aktivitet u realizua si një spin-off i ‘Re-Debate 5.0 Kampionati Kombëtar i Debatit’. Aktivitete të tilla, të mbështetura nga ‘Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’ janë menduar dhe do të vazhdojnë të organizohen për të ngritur paralelisht në një nivel tjetër frymën e debatit dhe për të shërbyer si momente socializimi dhe identifikimi prioritetesh. Gjatë tyre të rinjtë kanë mundësi të bisedojnë me njëri-tjetrin, të argëtohen dhe të ndërtojnë iniciativa dhe propozime të tjera.

Vajzat dhe djemtë e LIBURNETIK Elbasan vendosën ta zhvillojnë në Belsh aktivitetin, nën formën e një itinerari. Kjo ditë përkoi me ditën e Alpinizmit dhe nën këtë rrjedhë, aktiviteti iu dedikua lëvizjes dhe shëndetit, Rinisë dhe Mjedisit. Në fakt u ndërtua një program i mirëfilltë dhe Aktiviteti u quajt ‘Alpinistë për një ditë’. Grupi përbëhej nga 60 të rinj të Elbasanit, nga 6 shkolla të mesme, 2 shkolla nëntëvjeçare dhe studentë të vitit të Universitetit.

Pasi mbërritën në Belsh, zbritën kodrën që përfundonte me një zonë si amfiteatër, e përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve të parashikuara në program dhe shumë e bukur në nivel peizazhi, pasi përball kishin liqenin dhe diellin ende të ngrohtë të një fillim dimri.


Aktiviteti filloi me prezantimin e LIBURNETIK Elbasan, cili është qëllimi i formimit të këtij grupi dhe se cilat janë objektivat e tij. Më pas u futën direkt në program me organizimin e disa Energizer/Ice-breaking për të njohur njëri tjetrin dhe siç pritej, u tejkaluan pritshmëritë: të gjithë ndërvepruan me njëri-tjetrin dhe u argëtuan. Gjatë ditës u ndërtuan disa grupe, u reflektua mbi rëndësinë e debatit konstruktiv, karakteristikat e tij dhe se si mendimi kritik mund të shërbejë si një aftësi që mund të ndikojë në përmirësimin e jetës së të rinjve dhe jo vetëm. Në vijim të këtyre reflektimeve dhe diskutimeve u organizuan disa debate mbi rehabilitimin e plotë të mjediseve të metalurgjisë së qytetit, arsimin, aktivizmin/qytetarinë aktive dhe përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje në lidhje me pushtetin vendor. Në përmbyllje të debateve, përfaqësuesit e grupeve paraqitën dhe ndanë me të gjithë elementët karakterizues të debateve duke u përqendruar në punën në grup, si e formuan tezën, si i bashkuan mendimet e nëse hasën vështirësi gjatë procesit. Debatet ishin shumë cilësore dhe metodologjia e përdorur gjatë tyre u vuri në dukje vetë të rinjve dobitë që paraqet debati në vetvete dhe rëndësinë e një komunikimi efektiv.


Më pas, të rinjtë hodhën disa projekt-ide për realizimin e një sërë aktiviteteve të tjera dhe u ndalën mbi prioritetet dhe nevojat që ata kanë në nivel orientimi akademik e profesional, zhvillimit të disa soft-skills, si: i foluri në publik, shkrimi i një CV, letre motivimi, etj.


Këto reflektime dhe diskutime u ndërthurën gjatë gjithë ditës me performanca nga vetë të rinjtë: këndim, kitare, Stand-up comedy, etj. Dreka ishte organizuar në formë pikniku, me një shportë minimaliste me produkte të shëndetshme. Pas konsumimit të drekës të rinjtë u kujdesën që asnjë mbetje të mos lihej në zonë e madje pastruan edhe një pjesë të asaj zone, duke dhënë shembullin e tyre si qytetarë të përgjegjshëm. Dita kaloi më së miri dhe morëm feedback shumë të mirë, të gjithë u argëtuan dhe shfaqën dëshirën për të patur edhe organizime të tjera të këtij lloji.