Organizata LIBURNETIK në bashkëpunim me FES zbatoi projektin “Me Sytë e të Rinjve”, i cili kishte synim hapjen e debatit për çështje specifike në lidhje me procesin e demokratizimit, të cilat përcaktojnë edhe indetifikimin e pikave kyçe të historisë shqiptare pas rënies së regjimit komunist deri në ditët tona.
Tranzicioni për vite me radhë u pasua nga një përmirësim i ngadaltë të stabilitetit ekonomiko-politik të vendit. Në vitin 1998 u themelua Kushtetuta e parë shqiptare, mos ekzistenca e të cilës shkaktoi jo pak probleme gjatë dekadës së fundit të shekullit të shkuar në Shqipëri. Një ndër to, kanë qenë edhe proceset zgjedhore, në fokus të vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian si tregues primar të një sistemi demokratik. Ky tipar ka qënë ndër pikat më me probleme në demokracinë e brishtë shqiptare, ku zgjedhjet jo rrallë herë janë cilësuar si jo të lira dhe të ndershme.
Karakteristikë e vendeve të Ballkanit perëndimor me një pushtet të kaluar monist, janë tre etapa që e kanë shoqëruar procesin e integrimit në BE ndër vite: Lufta e Bosnjes, e cila vendosi në pozitë BE për të krijuar stabilitetin në rajon, qasjen gjithëpërfshirëse si dhe Liberalizimin e Vizave që ishte një prej mundësive më të kërkuara nga vendet që kërkojnë antarësimin, përfshirë këtu Shqipërinë, por edhe vende të tjera së fundmi të antarësuara si Kroacia apo Bullgaria.
Gjatë zbatimit të projektit u indetifikua gjithashtu indiferenca për zbatimin e ligjit. Si një “patologji” trashëguar nga komunizmi, ndërgjegjësimi për zbatimin e legjislacionit dhe pse vitet e fundit është rritur, për shoqërinë shqiptare është një pikë e cila në fakt nuk përfillet. Heshtja qytetare përballë moszbatimit ka sjellë pasoja të rënda të krijuara nga pushteti qëndror.
Një hapësirë tjetër problematike mbetet korrupsioni në të cilin nuk kemi asnjë dënim efektiv kjo për shkak të mos funksionimit normal të gjykatave, gjë e cila i ka detyruar instancat e huaja të zhvillojnë të ashtuquajturin procesin e vetting-ut për gjykatës e prokuror. Proces tepër i vështirë por edhe i shoqëruar me debate nga përfaqësuesit e kaheve të ndryshme politike.
Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë ndër vite cilësohet nga ekonomistë e studiues si i konsiderueshëm por tejet kaotik, ku nuk ka një linjë të qëndrueshme e një orientim të saktë, karakteristikë që pengon investitorët e huaj dhe tregun e lirë. Zbatimi i projekteve Evropiane nga ana e instancave të qeverisë për shkak të mungesës së profesionistëve në këtë fushë është një tjetër ngërç për antarësimin. Një punë tepër e madhe po bëhet nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat vazhdimisht implementojnë projekte të ndryshme të financuara nga Bashkimi Europian, të cilët kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e kapaciteteve.
Funksionimi dhe përhapja e gjerë e organizatave ka sjellë krijimin e zërave kundërshtarë, të cilat edhe pse në pamje të parë duket se po “udhëzojnë” ligjvënësit që “rruga me kalldrëm” e Shqipërisë për në Evropë të kthehet në një asfalt.