Organizata LIBURNETIK në bashkëpunim me FES zbatoi projektin “Me Sytë e të Rinjve: Kujto të kaluarën dhe reflekto për të ardhmen”, në formën e leksioneve të hapura të ndërthurura me eksperienca personale dhe përdorimit të metodave të trajnimit të edukimit jo-formal, për orientimin të rinjtë rreth disa temave, përmes të cilave synohet të rindërtohet një rrugëtim historiko-social i Shqipërisë.
Ky projekt iu drejtua një grupi prej 30 studentësh bachelor dhe master të Juridikut, Shkencave Politike dhe Shkencave Sociale.
Gjatë sesioneve të trajnimeve morën pjesë ekspertë dhe studiues nga fusha të ndryshme, të cilët paraqitën në mënyrë të plotë prospektivën dhe tezat e tyre mbi tematikat e planifikuara. Një theks i veçantë iu la njohjes dhe informimit me Institucionet e Bashkimit Evropian dhe procesit të integrimit të Shqipërisë. Përpos informacioneve dhe njohurive, u vunë në dispozicion të studentëve dëshmi dhe eksperienca personale të jetës gjatë periudhës së errët moniste të Shqipërisë.
Shqipëria, një ndër vendet që ka përjetuar regjimin më të egër komunist në botë. Për rreth 46 vite me radhë, Shqipëria pësoi një democid të madh dhe tepër të egër nga monizmi. Dalja nga luftërat për çlirimin e vendit nga pushtimet Italiane dhe Gjermane, solli të ashtuquajturin socializëm në vend, i cili krijoi një “demokraci” të stisur për popullin e asaj kohe. Përveç drejtimit nga vetëm një person, karakteristikë tipike e vendeve të lindjes, Shteti shqiptar i atyre viteve investoi masivisht në “shplarjen e trurit” përmes ideologjisë komuniste, me pasoja të shumta, të cilat fatkeqësisht trashëgohen edhe sot në mënyrë instinktive dhe janë evidente pjesërisht edhe nga brezat e pas viteve ‘90. Gjatë trajnimeve u theksuan edhe pasojat në tërësi që la komunizmi edhe pas rënies së tij, sidomos në vitet e para pas vitit 1991 e duke vazhduar deri sot.
Një prej ekspertëve, panelistëve të trajnimeve të planifikuara ishte Z. Besim Ndregjoni, Kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurve Antikomunistë të Shqipërisë, i cili pasi bëri një rrugëtim të jetës së tij dhe metodave të ndjekura nga regjimi komunist ndaj të përndjekurve, tha se … lufta kundër opozitës me tendencë, heqjen e vemendjes ndaj qeverisë dhe problemeve aktuale, vazhdon edhe sot. Një rast tipik është ai i paneleve të debateve televizive, ku panelisët nuk rreshtin së akuzuari njëri-tjetrin sipas orientimeve politike dhe duke fshehur sytë përballë aktualitetit.
Zona e njohur si ish “Blloku” është një prej shembujve të cilët identifikonin qartë aspektin diktatorial në drejtimin e vendit. Përveç hapsirës për të lëvizur të lirë jashtë Shqipërisë, që ishte e pamundur për qytetarët e thjeshtë, pushtetarët që banonin në këtë hapsirë në zemër të Tiranës, kishin mundësinë që të shihnin transmetime televizive të huaja, të dëgjonin muzikë të huaj apo të lexonin edhe revista botërore, fenomen që për popullin ishte e pamundur. Rreziku i internimit për familjen, por shpesh edhe vdekjes për “shfaqje të huaja” ishte tepër i madh. Racionalizimi ishte një pikë tjetër e cila krijoi për vite me radhë një krizë urie edhe pse jo e shpallur zyrtarisht, tek populli kjo ndihej edhe më shumë. Eksporti ishte një tjetër hapësirë që sillte limitimin e të gjitha produkteve që shqiptarët e atyre viteve përdornin, i cili ishte luks vetëm për banorët e “Bllokut”.
Regjimi i egër monist, njihet gjithashtu edhe për mohimin e detyruar të besimit për shqiptarët. Me shpresën e zhdukjes së traditave fetare dhe zëvendësimin e tyre me ideale komuniste. Shteti asokohe urdhëroi prishjen e ndërtesave dhe objekteve të kulteve fetare dhe zhbërjen e çdo insititucioni fetar, fenomen që nuk kishte ndodhur më parë. Klerikë të shumtë u vranë dhe u internuan sepse kundërshtuan zhveshjen nga detyra. Shumë prej tyre vendosën që të kalonin gjithë jetën të mbyllur në banesat e familjeve edhe pse shteti i asaj kohe tentoi shpesh t’i përndiqte.
Dekada e fundit e shekullit të XX, e gjeti vendin në një periudhë tranzicioni, nga diktatura në demokraci e si pasojë krijoi një destabilitet në Shqipëri. Firmat piramidale ishin një ndër shkaqet kryesore të fillimit të luftës civile. E ndikuar nga gjendja në Shqipëri si dhe hapja “de facto” e kufijve, një numër i madh shqiptarësh tentuan të largoheshin nga vendi shpesh me sukses, por nuk munguan tragjeditë, më e rënda ajo e Otrantos. Emigrimi masiv por edhe inflacioni që e mbërtheu vendin për disa muaj sollën edhe ndërhyrjen e insititucioneve ndërkombëtare si OKB dhe Bashkimit Evropian.
Ky i fundit do të ishte ndjekësi kryesor i zhvillimeve aktuale në Shqipëri, rol i cili vazhdon edhe sot, në kuadër të fazave të ndryshme të procesit të Integrimit. Procesi i ecurisë për t’u antarësuar në BE, tashmë është i ngadaltë por edhe konstant përsa i përket iniciativave të organizatave politike dhe atyre të shoqërisë civile të cilat janë bërë së bashku me qëllim futjen e Shqipërisë në familjen Evropiane.