“Tirana Art Fest” rikthehet për të tretin vit radhazi, duke synuar shtimin e jetës kulturore-artistike në kryeqytet, ku protagonistë janë të rinjtë. Në të gjitha gjimnazet e Tiranës (publike dhe jopublike), të rinj nga mosha 15 deri në 19 vjeç, do të performojnë në tre disiplina të ndryshme: muzikë, kërcim dhe multimedia, këtë herë me risi në secilën kategori konkurruese.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndoqi performancën e të rinjve të talentuar të tre gjimnazeve: “Sinan Tafaj”, “Ismail Qemali” dhe “Abdulla Keta”, ku vlerësoi se “Tirana Art Fest” është një mundësi shumë e mirë për të zbuluar talentet e reja dhe për të mbështetur të rinjtë.
“Secili prej nesh ka nevojë që të ketë një dorë në jetë, ku disa prej atyre që kanë fituar apo kanë marrë pjesë në “Tirana Art Fest”, tani kanë shkuar në një nivel më të lartë, sepse dikush i zbuloi kur ishin në gjimnaz. Unë shpresoj shumë që për ata që do të zbulohen si talente, të kemi mundësi që t’ju promovojmë që të shkoni më lart.
Por edhe për ata që ndoshta do të kuptojnë që nuk janë të “prerë” për këtë punë, të kemi mundësi të eksplorojnë diçka tjetër”, tha Veliaj, teksa siguroi se Bashkia e Tiranës do të jetë gjithnjë në krah të të rinjve të kryeqytetit dhe promovimin e tyre, së bashku me ekipin e trajnerëve të “Tirana Art Fest”, Bojken Lako, Mariza Ikonomi, Shpend Bengu, Gerd Vaso etj,.