Do jetë salla e bibliotekës “Musine Kokalari”, e inauguruar së fundmi, që do të presë eventin përmbyllës të projektit “Fight Corruption and Have Fun” të Organizatës LIBURNETIK, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ne date 27 Janar 2017 (ora 9.30 – 11.30).
Projekti “Fight Corruption and Have Fun” lind si një projekt-fushatë i ndërthurur me disa aktivitete në terren, në të cilat u përfshinë një grup të rinjsh përgjatë një viti.
Ky projekt, nëse nga njëra anë zbërthehet përmes aktiviteteve në terren, në anën tjetër është i menduar të mprehë shqisat përmes një qasjeje të re, përqëndrimit të vëmendjes tek shembujt e mirë dhe tek ironia e të luftuarit të korrupsionit përmes vlerave dhe nëpunësve publik të ndershëm e me integritet.
Një tjetër mesazh i synuar për tu arrirë përmes këtij projekti, ishte edhe marrja në konsideratë e konceptit të informimit të publikut dhe të lajmit në vetvete. Si përkufizim, ashtu sic trajtohet edhe në vende të tjera, lajm është kur kemi të bëjmë me një aspekt negativ të dickaje. Sot, hapësirat televizive janë të tej mbushura me lajme, aq sa duket se kohët e fundit, po influencojnë negativisht në frymën e zhvillimit të opinionit publik. Pikërisht, duke u nisur nga këto premisa dhe duke i kombinuar me temën parësore të këtij projekti, atë të antikorrupsionit, LIBURNETIK synoi të përcjellë mesazhin se lajmi mund të jetë edhe pozitiv. Të rinjtë e përfshirë, sëbashku me stafin e organizatës e përcollën këtë mesazh duke kthyer në lajm atë që në përditshmëri e konsiderojmë normalitet.
Pse vallë duhet të konsiderojmë lajm kronikën e zezë dhe jo faktin se ka në vendin tonë me me mijëra persona që punojnë ndershmërisht cdo ditë dhe sigurojnë jetesën e familjeve të tyre. Pse të mos jetë lajm një punë konstante dhe me plot sakrifica në dobi të shoqërisë sonë? Janë këto disa nga elementët që përshkuan si një leitmotiv aktivitet dh fushatën e projektit “Fight Corruption and Have Fun”, me në qendër promovimin e vlerave dhe luftën ndaj korrupsionit.
Në vendin tonë janë përdorur qasje të ndryshme për të luftuar korrupsionin. Vihet re se deri më tani fokusi ka qenë tek dëmet që shkakton korrupsioni dhe pasojat që ai sjell. Për këtë arsye kemi zgjedhur një metodë tjetër që është edukimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë përmes aktiviteteve dhe fushatave të sensibilizimit.
Ky event synon të përcjellë tek publiku gjetjet e këtij projekti dhe dobinë e të zhvilluarit të një fryme të tillë, duke e vazhduar atë, por në plane të ndryshme, me protagonistë të rinjtë, aktorë nga shoqëria civile, nga bota akademike, nga mjekësia, etj.