Të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës do kenë një mundësi më shumë për të zhvilluar dhe promovuar talentin e tyre në muzikë, multimedia, kërcim dhe aktrim. Organizata LIBURNETIK dhe Bashkia e Tiranës kanë rikthyer traditën e bukur të “Rinfest-it”, por kësaj here me një emër të ri, “Tirana ArtFest”, një projekt që i kushtohet ekskluzivisht nxënësve të gjimnazeve të kryeqytetit dhe synon të promovojë talentet e reja në fushën e artit.
Ky projekt u prezantua pikërisht sot, në ambjentet e Qendrës TEN. Fjalën e nderit në prezantimin e TAF e mori kryetari i Bashkisë Tiranë, Z. Erion Veliaj dhe disa artistëve të njohur, të cilët i prezantuan publikut rëndësinë dhe e këtij projekti, i cili synon gjallërimin e jetës artistike-kulturore rinore të kryeqytetit dhe mënyrën se si do zhvillohet.
Organizata LIBURNETIK, si iniciatore e këtij projekti inkurajon të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës të përfshirë në këtë project që të marrin pjesë në mënyrë massive, pasi e vlerëson këtë si një mundësi që çdo i ri të zbulojë talentin e tij dhe ashtu sikurse u shpreh edhe Z. Veliaj, arti ka fuqinë për të ndryshuar mendësitë dhe paragjykimet e mbartura në një shoqëri.
Projekti “Tirana Art Fest” do të zhvillohet në 14 shkolla të mesme publike të qytetit të Tiranës dhe do të përfshijë konkurrimin në 4 disiplina: muzikë, kërcim, multimedia dhe teatër. Disiplina e muzikës do përfshijë interpretime në këngë solo, duet, në grup, këngë shqip ose të huaja; kërcimi do të përfshijë kërcime solo, kërcime në çift, ose në grup; teatri do ketë interpretime në poezi, monolog, komedi, pjesë nga filma ose teatre, etj, ndërsa multimedia do të ketë temë e lirë, film me metrazh të shkurtër, fotografi, etj.
Projekti do të shtrihet në 4 faza: në fazën e parë do të zhvillohen audicionet dhe për çdo shkollë do të zgjidhen nga dy nxënës për çdo disiplinë, pra gjithsej 8 nxënës për shkollë. Faza e dytë do t’i kushtohet minispektakleve konkurruese për secilën disiplinë. Në fazën e tretë do të zhvillohet gjysmë-finalja dhe në fazën e katërt finalja, ku do të shpallen fituesit për secilën nga 4 disiplinat.
Qëllimi i këtij projekti është gjallërimi i jetës artistike-kulturore rinore, nxitja dhe inkurajimi i krijuesve të rinj të shkollave të mesme, edukimi dhe argëtimi i të rinjve, dhe kontributi në luftën ndaj fenomeneve negative shoqërore.